Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Krimeve të Rënda, Përparim Kullurin.
Shkak për këtë vendim është bërë lidhja e Kullurit me një person, i cili ka probleme me drejtësinë.
Ky person ishte gjykuar në Greqi për trafik narkotikësh, kurse në Shqipëri për tentativë vrasje.
Trupa gjykuese përbëhej nga kryesori Olsi Komici, relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtar, Lulzim Hamitaj.
Hetimi zbuloi, se Kulluri kishte mbyllur pa veprime një çështje ndaj një prokuroreje të Tiranës.
Një nga dosjet më të nxehta që kishte në dorë Kulluri ishte “Babalja”.
Nën hetim për këtë çështje ishin prokurori, Besim Hajdarmataj dhe ish-oficeri i policisë Albert Nushi.
Kulluri kundërshtoi gjetjet e KPK-së, por mendimet e tij nuk u morën parasysh.
Ai e nisi karrierën e prokurorit në Vlorë në vitin 1999.
Më pas u emërua në 2004-ën në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Në 2008-ën Kulluri transferohet në Shkodër, ku mori në dorë frenat e Prokurorisë.
Pas 5 vitesh ai rikthehet sërish te Krimet e Rënda, me dekret të presidentit.