Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e 55-vjeçarit, Lazër Arraj në zonën e Dukagjinit në Shkodër.
Siç shkruan ‘Dosja.al’, Arraj dyshohet është vrarë pasi njoftoi policinë për parcelat me kanabis.
Ai u qëllua me dy plumba në trup në një rrugë dytësore në fshatin e tij.
Hetuesit arritën në konkluzionin se autor i vrasjes është kushuriri i tij, 25-vjeçari Marash Arraj.
Ky i fundit bashkë me vëllanë dhe babanë kanë njoftuar policinë për ngjarjen.
Ata u thanë forcave të rendit, se kishin dëgjuar krisma dhe më pas kishin gjetur të pajetë kushuririn e tyre.
Pas shoqërimit në polici, ata kanë dhënë disa versione mbi ngjarjen.
Kjo ka bërë që hetuesit të ngrenë dyshime, se autori është njëri nga dëshmitarët.
Pas kryerjes së veprimeve, ata i vunë prangat Marash Arrajt, ndërsa po punohet për të zbuluar nëse 25-vjeçari ka pasur bashkëpunëtorë.
Në momentin kur u vra, 55-vjeçari po transportonte ushqimet e dimrit drejt Shkodrës, ku kishte një shtëpi tjetër.
Rruga për në fshatin Palaj është tepër e vështirë, pasi duhet të ecësh për 4 orë me mjete të larta nga Shkodra dhe më pas duhen 45 minuta, për të shkuar në vendin ku ndodhi vrasja.
Pista kryesore e policisë është ajo e vrasjes për shkak të konfliktit për parcelat me kanabis.
Gjatë verës në fshatrat Ndreaj dhe Palaj janë zhvilluar disa aksione anti-kanabis.
Policia nuk arrestoi asnjë person si përgjegjës dhe nuk i çoi deri në fund hetimet.
Nisur nga këto rrethana, policia ka ngritur dyshime se kultivuesit e bimës narkotike, kanë qenë kushurinjtë e viktimës.