Policia ka arrestuar xhaxhain e vëllezërve Kusi, të cilët akuzohen për vrasjen e 26-vjeçarit, Indrit Çelaj.
Sipas “Balkanweb”, efektivët gjetën në shtëpinë e Lulzim Kusit një 1 armë zjarri kallashnikov, 4 krehëra me fishekë, dylbi dhe 14 fishekë.
Albano dhe Griseldo Kusi ndërkohë janë ende në kërkim nga policia.
Ata akuzohen se qëlluan me plumb në kokë Çelajn, i cili po kryente punime në shtëpinë e tyre në kryeqytet.
Dyshohet se pas krimit, vëllezërit Kusi janë larguar jashtë Shqipërisë.
Këta të fundit janë emra shumë të njohur për drejtësinë shqiptare.
Vëllezërit Kusi i kanë shpëtuar disa herë drejtësisë, edhe pse janë përfshirë në të shkuarën në ngjarje kriminale si vrasje, plagosje dhe tentativë vrasje.
Albano Kusi akuzohet për vrasjen e Shkëlqim Nozllit në 16 tetor të 2010-ës për një borxh të pashlyer.
Bëhej fjalë për 650 euro me të cilat ishin blerë dy pistoletë, ngjarje në të cilën u përfshinë edhe dy punonjës të Policisë së Burgjeve.
Për këtë vepër penale, Albani Kusi u dënua me 7 vite nga Krimet e Rënda, ndërsa pretendonte se vrasjen e ka kryer gjatë përleshjes me viktimën.
Ndërsa i vëllai, Griseldo Kusi, më 5 gusht të 2011-ës, tentoi të vriste Maksut Hysën.
Ky i fundit arriti që t’i shpëtonte atentatit, i cili thuhej se kishte shkaqe pronësie.
Më pas 6 muaj më vonë, Griseldo tentoi të vriste Boiken Spahiun, i cili po ashtu arriti që të shpëtonte.
Kësaj radhe dyshohej se atentati u bë për prishjen e pazareve të pambyllura të drogës në Angli.