Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili po jep shpjegime në Komisionin e Sigurisë.
Ai u ftua pas ngjarjes së Kavajës, ku shefi i sigurisë së burgut të Durrësit, Bledar Toçi, vrau me armën e shërbimit Dritan Haxhollin, ndërsa në shtëpinë e tij u gjet edhe drogë.
Deputeti socialist, Spartak Braho, pyeti Ismailin, nëse policia e burgjeve përfshihet apo jo në vetting, shkruan ‘Balkanweb’.
Ismaili tha, se për rastin në fjalë, janë marrë të gjitha masat, ndërsa pohoi se ka risk të shtuar, që punonjësit e burgjeve, mund t’u shesin drogë të burgosurve.
“Kemi marrë masat e duhura për rastin e Kavajës. Ka rrisk të shtuar që punonjësit e burgjeve mund t’u shesin drogë të burgosurve. Kemi bërë kallëzime penale edhe për drejtorë burgjesh që kane bërë shkelje në futjen e sendeve të ndaluara. Nuk është marrë asnjë polic në punë pa kaluar verifikimin e përshatshmërinë nga institucionet.” u shpreh Ismaili.
Përsa i përket takimeve preferenciale, Ismaili tha se asnjë i burgosur nuk bën më shumë se 4 takime në muaj.
Drejtori i Burgjeve foli edhe për incidentin me Izet Haxhinë, gjatë transportimit për në Prokurori, duke thënë se çdo gjë është bërë sipas rregullave.
Ai gjithashtu shtoi se nga burgu janë porositur edhe vrasje dhe për këtë arsye do aplikohet regjimi “41biss” për të dënuarit me rrezikshmëri të lartë.