Zgjedhjet e fundit të zhvilluara në Kosovë, nxorrën fituese Lëvizjen Vetëvendosja të Albin Kurtit.
Ky i fundit pas rezultateve paraprake, ftoi partinë e dytë me më shumë deputetë, LDK-në, për të formuar koalicionin.
Kryetarja e LDK, Vjosa Osmani, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka lënë të kuptohet, se e ka pranuar ftesën e Kurtit.
Ajo shkruan, se vendi duhet të qeveriset nga opozita e djeshme dhe koalicioni, LDK-VV, ka shumë sfida përpara.
Osmani falënderoi të gjithë votuesit, ndërsa theksoi se brenda një kohe të shkurtër, LDK arriti të ngrihej dhe të merrte një rezultat, që nuk e kishte që nga viti 2004.
Ajo u zotua gjithashtu se do të punojë për t’i shërbyer vendit të saj.
Postimi i plotë i Vjosa Osmanit:
Të dashur qytetarë të vendit tim,
Këtë vjeshtë janë mbushur plot 20 vjet që jam bërë anëtare e LDK-së dhe gati po aq që kam shërbyer në institucionet e Kosovës. Ka qenë rrugë jo e lehtë, plot pengesa e sfida, sikur për shumë të rinj e të reja në vendin tonë. Deri tani, ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm, përgjatë të cilit kam takuar mijëra gra e burra, vajza e djem, qytetarë të mirë të këtij vendi që më kanë mbushur plot shpresë për të ardhmen.
I falënderoj miliona herë, nga thellësia e zemrës, të gjithë që na përkrahën e besuan në ne, si dhe të gjithë aktivistët e veprimtarët që kurrë nuk reshtën së punuari me vetëmohim. Arritëm që të gjithë së bashku, por për një kohë tejet të shkurtë prej vetëm një muaji, ta ringrisim LDK-në në një rezultat që nuk e kishte nga viti 2004. Por, na mbetet edhe shumë punë për të bërë, edhe shumë sfida për të kaluar, e ato mund t’i kalojmë vetëm së bashku.
Më në fund, qytetarët, jo vetëm që votuan, por, ajo votë ishte thirrje për ndryshim e ndëshkim ndaj qeverisjes së keqe. Qytetarët, poashtu, përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme. Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës.
Unë do të punoj dhe do t’i shërbej vendit tim, pavarësisht se ku jam.
Ashtu siç e kam thënë gjithnjë: në secilën betejë, do të jemi së bashku, deri në fund!
E juaja, Vjosa