Mbrëmjen e djeshme pas një seance maratonë, Gjykata e Krimeve të Rënda, vendosi të dënojë me 5 vite burg për shpërdorim detyre, ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Organi i drejtësisë rrëzoi akuzat e Prokurorisë për bashkëpunim në trafik droge, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe korrupsion të zyrtarëve të lartë.
Gjykata nuk gjeti fakte të mjaftueshme për të dënuar Tahirin, por vlerësoi se provat ishin të mjaftueshme, për ta dënuar për shpërdorim detyre, duke u bazuar tek shitja e makinës së tij “Audi”, njërit prej Habilajve.
Mirëpo organi i akuzës i cili kërkoi 12 vite burg, nuk ka ndërmend ta lërë me kaq.
Prokurorët e çështjes, Arenc Çela, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, deklaruan për “News24”, se do ta apelojnë vendimin.
Ndërkohë as ministri Tahiri nuk ra dakort me vendimin, i cili e detyron të kryejë 3 vite shërbim prove, duke deklaruar se do ta apelojë.
Ndër të tjera Tahiri tha se kjo është vetëm maja e betejës së tij, ndërsa e ka cilësuar vendimin qesharak.