Shqipëria tre orë pa transport publik, protestë kundër TVSH-së 21% dhe shtrenjtimit të biletave

Transporti publik në të gjithë Shqipërinë u pezullua këtë të enjte për tre orë, në shenjë proteste kundër rritjes së TVSH-së, të parashikuar në Paketën Fiskale 2027, e cila rrezikon të sjellë edhe shtrenjtimin e biletave për qytetarët.
Autobusët dhe furgonët ndërprenë shërbimin nga ora 05:00 deri në orën 08:00, duke lënë qytetarët pa transport publik në orët e para të mëngjesit.
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban paralajmëruan një ditë më parë pezullimin e shërbimit, në kundërshtim me ndryshimet fiskale të propozuara nga qeveria.
Protesta u zhvillua vetëm pak orë përpara seancës plenare të Kuvendit, e cila pritet të nisë në orën 10:00, ku është parashikuar votimi i Paketës Fiskale dhe Projektbuxhetit të Shtetit për vitin 2027.
Në një deklaratë të përbashkët, shoqatat argumentojnë se rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% do të rëndojë kostot e operatorëve të transportit publik, duke sjellë si pasojë rritjen e çmimit të biletave.
Përmes pezullimit të shërbimit në shkallë kombëtare, shoqatat kundërshtojnë shtimin e barrës fiskale dhe synojnë të shmangin transferimin e kostove shtesë te qytetarët, të cilët përdorin çdo ditë transportin publik.