Skip to content
Kryesore

Vrasja e Arlinda Zekajt, arrestohen edhe ish-vjehrra e ish-kunati, 4 në pranga

· 3 min lexim
Hetimet për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë kanë çuar në arrestimin e katër personave të tjerë, mes tyre ish-vjehrra dhe ish-kunati i 49-vjeçares, e cila u vra më 25 tetor 2026 në banesën e saj në Vitomiricë.

Mes të arrestuarve është Nurije Sylaj, ish-vjehrra e viktimës, e dyshuar për shtytje drejt vrasjes, si dhe ish-kunati i saj, Driton Sylaj. Dy persona të tjerë janë arrestuar gjithashtu në kuadër të hetimeve, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar autorin e dyshuar pas krimit.

Arrestimet vijnë një muaj pas vrasjes së Arlinda Zekajt, një ngjarje që tronditi Kosovën dhe nxori në pah paralajmërimet e përsëritura të viktimës për rrezikun që i kanosej, si dhe mënyrën se si institucionet kishin trajtuar denoncimet e saj.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë. Për vrasjen dyshohet Albert Sylaj, vëllai i ish-bashkëshortit të saj, Jeton Sylaj.

Sipas dosjes së Prokurorisë Themelore në Pejë, Albert Sylaj dyshohet se e vrau 49-vjeçaren në shenjë hakmarrjeje për ndalimin e vëllait të tij nga policia, pasi Arlinda e kishte denoncuar për dhunë në familje dhe shkelje të urdhrit të mbrojtjes.

Albert Sylaj u arrestua më 27 tetor, pas dy ditësh në arrati, ndërsa Gjykata Themelore në Pejë i caktoi një muaj paraburgim nën dyshimin për veprën penale të vrasjes së rëndë.

Vrasja ishte paraprirë nga një seri denoncimesh, kërcënimesh dhe kërkesash për mbrojtje. Arlinda kishte raportuar dhunë dhe kanosje nga ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, me të cilin kishte konflikte lidhur me kujdestarinë e djalit dhe banesën e përbashkët.

Më 16 tetor, Gjykata Themelore në Pejë kishte lëshuar një urdhër mbrojtjeje urgjent gjashtëmujor ndaj Jeton Sylajt, duke i njohur Arlindës të drejtën e shfrytëzimit të banesës dhe kujdestarinë e përkohshme të djalit.

Vetëm gjashtë ditë më vonë, më 22 tetor, ajo iu drejtua kryeprokurores së Pejës me një ankesë për moszbatimin e vendimit gjyqësor dhe mënyrën se si institucionet po trajtonin rastin e saj. Një ditë më pas, Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj Jeton Sylajt për kanosje në marrëdhënie familjare.

Në denoncimet e saj, Arlinda kishte shprehur frikën për sigurinë personale, por kishte këmbëngulur se nuk do të hiqte dorë nga djali dhe prona.

“Nuk e ndi veten të sigurt sa duhet por nuk heq dorë nga djali dhe pasuria ime. Shteti ka pasur obligim dhe e ka për t’i larguar uzurpatorët nga shtëpia ime”, kishte deklaruar ajo përpara policisë.

Pas vrasjes, mënyra e trajtimit të denoncimeve solli edhe masa ndaj zyrtarëve përgjegjës. Më 29 tetor u pezulluan nga detyra kryeprokurorja e Prokurorisë së Pejës, Lumturije Vuçetaj, prokurorja e çështjes, Arlinda Nallbani-Gacaferri, si dhe 11 zyrtarë policorë.

Arrestimi i sotëm i katër personave të tjerë, përfshirë ish-vjehrrën dhe ish-kunatin e viktimës, e zgjeron rrethin e personave nën hetim dhe rikthen vëmendjen te rrethanat që i paraprinë krimit.

Hetimet pritet të përcaktojnë rolin konkret të secilit prej të arrestuarve dhe nëse persona të tjerë kanë nxitur, ndihmuar apo lehtësuar kryerjen e vrasjes.