Nga përplasja me Ramën te vota e socialistëve, Elisa Spiropali përjashtohet nga grupi parlamentar i PS-së/ Çuçi dhe Braçe abstenuan

Deputetët e Partisë Socialiste votuan sot, më 24 nëntor, për përjashtimin e Elisa Spiropalit nga grupi parlamentar. Bledi Çuçi dhe Erion Braçe abstenuan. Vetë Spiropali nuk mori pjesë në mbledhje.
Votimi i sotëm pason përjashtimin e Spiropalit nga të gjitha forumet drejtuese të PS-së pas Asamblesë në Gjirin e Lalzit. Më 19 nëntor, në daljen e saj publike pas Asamblesë, ish-kryetarja e Kuvendit kritikoi Edi Ramën për mënyrën si drejton partinë, për qëndrimin e socialistëve ndaj Belinda Ballukut dhe për vendimet që, sipas saj, merren me telefonata.
Spiropali tha se, ndërsa qytetarët protestonin, Asambleja e PS-së merrej me përjashtime. Ajo kritikoi mungesën e debatit mes socialistëve dhe e cilësoi fjalën e Ramës në mbledhje si një fjalim personal të kryetarit. Për largimin nga forumet drejtuese, tha se turp ishte të bëje korrupsion, jo të ishe anëtare e thjeshtë e partisë.
Përplasja për Ballukun kishte nisur më herët. Kur Kuvendi votoi për imunitetin e saj, Spiropali zgjodhi të mos merrte pjesë në seancë, megjithëse grupi socialist e kishte përcaktuar qëndrimin e vet. Në intervistë, ajo e quajti mungesën e saj një akt politik, e cilësoi Ballukun si modelin më të keq të qeverisjes socialiste dhe tha se PS-ja nuk mund të bëhej mburojë për të. Ajo kërkoi gjithashtu të dinte se kush mbante përgjegjësi politike brenda partisë për çështjet që përfundonin në SPAK.
Si shembull të përqendrimit të pushtetit, Spiropali përmendi Portin e Durrësit. Sipas saj, vendimi për të ndërtuar apartamente në vend të portit u mor me një telefonatë dhe një mesazh. Ajo ngriti pikëpyetje edhe për projektin e aeroportit, çështje që, siç tha, kishte përfunduar në SPAK dhe në gjykatë.
Në të njëjtën intervistë, Spiropali akuzoi Ballukun se kishte përdorur Tatimet për t’i bërë presion asaj dhe familjes së saj. Drejtori i Tatimeve, Ilir Binaj, e mohoi akuzën dhe deklaroi se ishin Spiropali dhe bashkëshorti i saj, Salarjon Totaj, që kishin ushtruar presion ndaj inspektorëve pas kontrolleve në biznese të lidhura me familjen.