SPAK regjistron procedim penal për Spiropalin dhe bashkëshortin, nën verifikim pasuria

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar një procedim penal pas një kallëzimi që përfshin deputeten socialiste Elisa Spiropali dhe bashkëshortin e saj, Salarjon Totaj.
Kallëzimi përfshin dyshime për disa vepra penale, mes të cilave deklarimi i rremë, mosdeklarimi dhe fshehja e pasurisë, pastrimi i produkteve të veprës penale, shpërdorimi i detyrës dhe korrupsioni.
Sipas Cna, procedimi penal është regjistruar në fund të muajit tetor, pa emra konkretë, por duke përcaktuar veprat penale për të cilat kërkohet hetim.
SPAK ka nisur veprimet hetimore për verifikimin e pretendimeve të paraqitura në kallëzim, i cili mbështetet në një sërë dokumentesh që lidhen me pasurinë dhe aktivitetet financiare.
Dokumentacioni përfshin deklaratat e pasurisë, të dhënat tregtare, informacionet mbi shoqëritë tregtare dhe ndryshimet e pronësisë, transaksionet financiare, burimet e të ardhurave, si dhe pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme.
Hetimet synojnë të verifikojnë pretendimet e kallëzimit dhe dokumentacionin e paraqitur. Regjistrimi i procedimit pa emra nuk nënkupton automatikisht se Spiropali dhe Totaj kanë marrë statusin e personave nën hetim.
Deri në këtë moment nuk ka një reagim zyrtar nga SPAK lidhur me procedimin dhe veprimet konkrete hetimore. Pritet që Prokuroria e Posaçme të japë sqarime të mëtejshme mbi çështjen.