U plagos në sy gjatë protestës, Erjon Vishkulli thirret në Prokurori, kërkohet lista e policëve me plumba gome

Prokuroria e Tiranës ka thirrur për të dëshmuar Erjon Vishkullin, 28-vjeçarin që mbeti i plagosur në sy gjatë protestës së 24 tetorit dhe iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale në Itali. Paralelisht, organi i akuzës ka kërkuar nga Policia e Shtetit listën e efektivëve që ishin në detyrë gjatë tubimit, si dhe identifikimin e atyre që dispononin armë me plumba gome.
Fletëthirrja është firmosur nga prokurori Ndini Tavani, i cili i ka kërkuar Vishkullit të paraqitet përpara grupit hetimor më 25 nëntor, në orën 11:00.
I riu është kthyer në Shqipëri pak ditë më parë, pas trajtimit mjekësor në Itali, ku iu nënshtrua disa operacioneve për shkak të dëmtimit në sy. Rikthimi i tij u bë i ditur përmes rrjeteve sociale.
Ndërkohë, hetimet për plagosjen e 28-vjeçarit vijojnë, ndërsa Prokuroria është në pritje të përgjigjes së letërporosisë për të përcaktuar nëse dëmtimi është shkaktuar nga një plumb gome apo nga sende të tjera.
Një nga veprimet kryesore hetimore është kërkesa drejtuar Policisë së Shtetit për të identifikuar efektivët që shërbyen gjatë protestës së 24 tetorit dhe për të përcaktuar se cilët prej tyre ishin të pajisur me armë që përdorin plumba gome.
Kjo kërkesë synon të ndihmojë në zbardhjen e rrethanave të plagosjes së Vishkullit dhe në identifikimin e personave që mund të kenë përgjegjësi për dëmtimin e tij.
Prokuroria ka bashkuar hetimet që lidhen me disa kallëzime të depozituara nga protestues të dëmtuar, të cilët pretendojnë se janë dhunuar nga efektivët e policisë gjatë tubimit.
Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ka referuar për hetim dhjetëra protestues, të dyshuar për ushtrim dhune ndaj efektivëve, goditje ndaj objekteve shtetërore dhe dëmtim të pronës private.
Hetimi pritet të sqarojë jo vetëm mekanizmin e plagosjes së Erjon Vishkullit, por edhe rrethanat e përdorimit të forcës nga policia gjatë protestës së 24 tetorit.