Skip to content
Kryesore

Ju kemi paralajmëruar prej kohësh! Studimi: IQOS dëmton enët e gjakut dhe ADN-në që në përdorimin e parë/ Në Shqipëri vazhdon të reklamohet lirshëm

· 4 min lexim

Një studim i ri shkencor zbulon pasoja shqetësuese të përdorimit të IQOS në organizmin e njeriut, duke dokumentuar dëmtime të funksionit të enëve të gjakut, rritje të presionit arterial dhe tregues të dëmtimit të ADN-së pas vetëm një seance përdorimi. Gjetjet rikthejnë në vëmendje rreziqet shëndetësore të një produkti që në Shqipëri promovohet gjerësisht si alternativë më e mirë ndaj cigareve tradicionale.

Studimi, i publikuar në tetor 2026 në revistën shkencore European Journal of Preventive Cardiology, u realizua nga studiues të Qendrës Mjekësore Universitare të Mainzit në Gjermani, me pjesëmarrjen e 30 duhanpirësve të rritur, përgjithësisht të shëndetshëm.

Studiuesit kryen analiza gjaku, matje të presionit arterial dhe ekzaminime të enëve të gjakut përpara dhe pas përdorimit të IQOS. Pjesëmarrësit konsumuan dy njësi duhani me ngrohje, me rreth 24–30 thithje gjatë 8–12 minutave.

Rezultatet treguan se funksioni i enëve të gjakut u përkeqësua me 11%, duke dëshmuar një ulje të aftësisë së arterieve për t’u zgjeruar normalisht. Presioni sistolik u rrit mesatarisht me 3 mmHg, ndërsa ngopja me oksigjen në gjakun venoz ra nga rreth 71% në 46%.

Edhe më shqetësuese ishin rezultatet e analizave qelizore, të cilat evidentuan tregues të dëmtimit të ADN-së dhe stresit oksidativ. Këto ndryshime u regjistruan menjëherë pas përdorimit, duke treguar se ekspozimi afatshkurtër ndaj IQOS mund të shkaktojë efekte biologjike të dëmshme, edhe pa përdorim të zgjatur.

Gjetjet godasin drejtpërdrejt perceptimin se mungesa e djegies tradicionale e bën IQOS një produkt të sigurt për shëndetin. Reduktimi i disa substancave toksike në emetime nuk nënkupton eliminimin e rrezikut për zemrën, enët e gjakut apo qelizat e organizmit.

Prej vitit 2021 kemi denoncuar vazhdimisht rreziqet shëndetësore të IQOS, duke sjellë në vëmendje studime mbi dëmtimin e enëve të gjakut, ndikimin në qelizat e mushkërive, stresin oksidativ dhe efektet e mundshme në mëlçi. Paralajmërimet shkencore kanë qenë të pranishme prej vitesh, ndërsa promovimi i produktit në tregun shqiptar ka vijuar.

Në dhjetor 2024 denoncuam ekspozimin dhe promovimin e IQOS pranë Piramidës së Tiranës, duke ngritur shqetësime për përdorimin e hapësirave publike në funksion të marketingut të duhanit dhe për lidhjet e pretenduara të kësaj veprimtarie me persona pranë pushtetit.

Në qershor 2025 rikthyem vëmendjen te reklamimi i IQOS në televizione, portale, rrjete sociale dhe pika shitjeje, pavarësisht kufizimeve që legjislacioni shqiptar vendos ndaj reklamimit dhe promovimit të produkteve të duhanit.

Problemi nuk kufizohet te dëmet shëndetësore, por shtrihet edhe te mënyra se si këto produkte u paraqiten konsumatorëve. Në faqen zyrtare shqiptare, IQOS promovohet si një alternativë më e mirë ndaj duhanpirjes tradicionale, ndërsa theksohet reduktimi deri në 95% i niveleve të disa kimikateve të dëmshme të përzgjedhura. Por kjo shifër nuk përfaqëson një reduktim prej 95% të rrezikut shëndetësor, dallim që shpesh humbet përballë mesazheve promovuese.

Ndërkohë, të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë evidentuar dobësi në zbatimin e kufizimeve të reklamimit të duhanit në Shqipëri. Në profilin e vitit 2025, zbatimi i ndalimit të reklamave në pikat e shitjes vlerësohej me vetëm 4 nga 10 pikë, bazuar në të dhënat e vitit 2024.

Kjo situatë ngre pikëpyetje serioze mbi kontrollet e institucioneve shëndetësore dhe përgjegjësinë për mbikëqyrjen e promovimit të produkteve që përmbajnë nikotinë dhe krijojnë varësi.

Studimi i fundit gjerman i shtohet një numri në rritje kërkimesh që dokumentojnë efektet biologjike të produkteve të duhanit me ngrohje. Ai nuk përcakton kohëzgjatjen e dëmtimeve të konstatuara, por demonstron se edhe një seancë e vetme përdorimi mund të ndikojë negativisht në funksionimin e enëve të gjakut dhe integritetin qelizor.

Pesë vite pas paralajmërimeve tona të para, pyetja mbetet: përse një produkt me rreziqe të dokumentuara shkencërisht vazhdon të promovohet në Shqipëri, ndërsa kontrolli i reklamimit të duhanit mbetet problematik?

Shëndeti publik nuk mund të mbrohet vetëm me paralajmërime për konsumatorët, ndërkohë që marketingu i produkteve që krijojnë varësi vazhdon të ndikojë në mënyrën se si perceptohen rreziqet e tyre.