FBI paralajmëron sulme kibernetike në mbarë botën: Hakerët përdorin AI për të marrë kontrollin e sistemeve brenda 3 orësh

FBI ka lëshuar një paralajmërim urgjent për rrezikun e sulmeve kibernetike në mbarë botën. Grupe kriminale dhe hakerë të lidhur me shtete po përdorin inteligjencën artificiale për të depërtuar në rrjetet kompjuterike, duke arritur në disa raste të marrin kontroll të privilegjuar mbi sistemet brenda më pak se tre orësh.
Alarmi është publikuar nga zyra e FBI-së në Dallas, së bashku me një dokument prej 13 faqesh që përshkruan përdorimin e platformës ARTEX për automatizimin e sulmeve kibernetike.
Teknologjia, e krijuar fillimisht për testimin e sigurisë, po shfrytëzohet për të identifikuar dobësi dhe për të depërtuar në sisteme me shpejtësi të lartë, edhe nga persona pa njohuri të avancuara teknike.
Në shënjestër janë bankat, institucionet qeveritare, kompanitë teknologjike, sektori i mbrojtjes, energjia, shëndetësia dhe telekomunikacioni.
Sipas dokumentit të FBI-së, sulmet e lidhura me ARTEX kanë shkaktuar ekspozimin e të dhënave personale të rreth 67 mijë qytetarëve në Korenë e Jugut. Një tjetër incident, i regjistruar në tetor dhe i lidhur me zinxhirin e furnizimit të kompanisë ConnectWise, përfshiu përpjekje për të hyrë në mbi 2,250 sisteme klientësh të Microsoft 365.
Deri në fillim të nëntorit, ekspertët kishin identifikuar mbi 1,600 sisteme ARTEX të ekspozuara publikisht. Megjithëse projekti origjinal u hoq nga GitHub më 8 tetor, kopjet dhe versionet e modifikuara vazhdojnë të qarkullojnë.
SHBA teston alarmet kombëtare, ndërsa regjistrohen defekte në sisteme kritike
Paralajmërimi i FBI-së përkon me një seri problemesh teknologjike në Shtetet e Bashkuara.
Mijëra klientë të bankave amerikane kanë raportuar vështirësi në aksesimin e llogarive dhe kryerjen e transaksioneve. Ndërkohë, jashtë funksionit ka dalë edhe NSA Net, rrjeti i klasifikuar i komunikimit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare.
CNN raportoi se ndërprerja ka prekur shkëmbimin e informacioneve të klasifikuara mes punonjësve të NSA-së. Megjithatë, zyrtarë amerikanë kanë sqaruar se sistemet rezervë garantojnë përcjelljen e informacioneve urgjente të inteligjencës te presidenti Donald Trump.
Probleme janë regjistruar edhe në aviacion, ku një defekt në sistemet e Administratës Federale të Aviacionit (FAA) shkaktoi pezullime, vonesa dhe anulime të mijëra fluturimeve. Autoritetet e lidhën problemin me një ruter në Arkansas.
Ndërprerje kanë prekur gjithashtu shërbimet Outlook dhe Microsoft Teams në disa vende të botës.
Në këtë situatë, Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) kishte planifikuar për 17 nëntor, në orën 20:20 me orën e Shqipërisë, një test njëminutësh të sistemit kombëtar të alarmit përmes radiove dhe televizioneve amerikane.
“Sot, një test kombëtar i alarmit të emergjencave do të transmetohet në radio dhe televizione. Ky test ishte planifikuar më parë dhe do të zgjasë afërsisht një minutë. Nuk nevojitet asnjë veprim”, njoftoi FEMA.
Po paralajmërohet një ndërprerje globale e energjisë dhe internetit?
Në rrjetet sociale kanë qarkulluar pretendime për një ndërprerje globale të energjisë elektrike, internetit dhe shërbimeve bankare më 17 nëntor, që mund të zgjaste deri në 72 orë.