5 vite në arrati pa vuajtur dënimin për fshehje pasurie, GJKKO rrëzon kërkesën e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla për parashkrim

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për parashkrimin e dënimit me dy vite burg për fshehje pasurie. Prej afro pesë vitesh, ish-kreu i organit të akuzës i shmanget vuajtjes së dënimit, ndërsa tashmë kërkon të përfitojë pikërisht nga koha gjatë së cilës vendimi i drejtësisë ka mbetur i pazbatuar.
Llalla, i cili vijon të jetë në kërkim nga autoritetet shqiptare, nuk u paraqit në seancë dhe u përfaqësua nga avokati. Ai u largua drejt Italisë, ku u arrestua, por më pas u la nën masa mbikëqyrjeje, pa u ekstraduar në Shqipëri.
Rasti nxjerr në pah dështimin e institucioneve për të ekzekutuar një vendim penal ndaj një prej ish-zyrtarëve më të lartë të drejtësisë.
Hetimet ndaj Llallës përfshinë dyshime për fshehje pasurie, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe mosdeklarim të shumave monetare në kufi. Megjithatë, çështja përfundoi në gjykatë vetëm për shkeljet e detyrimit të deklarimit të pasurisë. Gjatë procedimit u sekuestruan katër parcela toke me sipërfaqe rreth 22 mijë metra katrorë dhe një apartament në Durrës.
Gazeta Reforma ka denoncuar më herët vonesat e SPAK-ut për shpalljen e Llallës në kërkim ndërkombëtar. Sot, pas afro pesë vitesh, mbetet i njëjti problem: ish-kryeprokurori është dënuar, por nuk ka vuajtur dënimin.
Llalla ka qenë gjithashtu në qendër të kritikave për vendime të marra gjatë drejtimit të Prokurorisë së Përgjithshme, përfshirë mosnisjen e hetimeve për marrëveshjen detare me Greqinë, pas kallëzimit ndaj grupit negociator, siç ka deklaruar Artur Meçollari.
Një ish-kryeprokuror që dikur kishte në dorë ndjekjen penale të të tjerëve, sot i shmanget vetë burgut dhe kërkon që dënimi t’i shuhet nga kalimi i kohës.
Rrëzimi i kërkesës nga GJKKO nuk e mbulon dështimin e ekzekutimit të vendimit. SPAK dhe autoritetet përgjegjëse duhet të japin llogari për veprimet e ndërmarra dhe arsyet pse Llalla vazhdon të jetë i lirë.
Drejtësia nuk matet vetëm me vendimet që jep, por edhe me zbatimin e tyre. Për Adriatik Llallën, prej afro pesë vitesh, burgu mbetet vetëm në letër.