Skip to content
Kryesore

Retrospektivë 2006/ Një anëtar, një votë, koha kur PS premtonte reformim

· 3 min lexim

Nga Afrim Krasniqi

Retrospektivë 2006. Ishte koha kur PS premtonte reformim dhe një prej nismave ishte aplikimi i zgjedhjeve “një anëtar – një votë”.

Zgjedhjet e degës PS Tiranë, kandidatët Besnik Baraj dhe Mimi Kodheli, fitoi i pari me votim të anëtarësisë. Më 2011 Baraj jep dorëheqje, kryetari Rama komandon Tahirin në krye dhe pas disa muajsh kalohet në zgjedhje, por jo më “një anëtar – një votë”. Voton asambleja e Tiranës, Tahiri – Zela, fiton i pari.

Pas dorëheqjes dhe arrestimit të tij komandohet fillimisht Blerina Gjylametin dhe më vonë Erjon Veliaj. Kur ky i fundit u bë objekt i hetimeve dhe masave penale nga drejtësia vijuan emërime të reja. Dy më të fundit në krye të PS Tiranë u emëruan dje, deputeti i Beratit Ervin Demo dhe ajo e listës së mbyllur Tiranë Albana Koçiu. Pas Tahirit ata janë ministrat e tretë të brendshëm që emërohen nga ER në krye të PS Tiranë.

Parimi “një anëtar – një votë”? Votim i fshehtë e konkurrues? Llogaridhënie e transparencë? Harroje. Vetë Rama pranoi votim për veten e tij vetëm një herë, në shtator 2009 dhe atëherë me kandidat rival të emëruar prej tij. Kjo ishte hera e fundit. Prej atëherë ai nuk ka pranuar konkurrim personal me asnjë emër të tjetër në parti ose jashtë saj. As votbesim. I vetmi rast në Europë.

Modele të tjera? PD kishte dikur garë të fortë për kryetarin e degës së Tiranës. Fillimisht e drejtonin profesorë dhe personalitete të njohura. Gara midis tyre ishte lajm kombëtar. Pastaj filloi “përzgjedhja” për të bindurit pa emër publik. Derisa një ditë u vendos të mos ketë më kryetar. Dhe nuk ka prej vitesh, e vetmja parti europiane që pretendon qeverisjen qendrore që nuk ka as drejtues formal për kryeqytetin.

Alibia? Duke refuzuar zgjedhjet, konkurrencën, votimin, kanë shpikur termin “koordinator” dhe këta emërohen, ndryshohen, zhvendosen sipas nevojës dhe pa mandat. Te PS, te PD. Partitë e tjera de facto nuk kanë as koordinatorë as kryetarë, as zgjedhje.

Motivi? Ka shumë. Por ndër kryesorët, frika se një kandidat potencial dhe me mbështetje e legjitimitet demokratik në Tiranë mund të kthehet në rival politik në parti? Frika se konkurrenca në Tiranë dobëson selitë qendrore të kryetarëve-parti? Frika se votimi nuk jep rezultatin që pronarët e partive duan?

Thelbi: A mund të ketë mungesë më të madhe respekti për qytetarin me rreth 1 milionë banorë sa të mos lejohet të zgjedh drejtuesit e vet të degëve, deputetët e vet, kryetarin e bashkisë së vet, këshilltarët e vet?! A munden parti, të cilat nuk kanë demokraci brenda tyre dhe nuk pranojnë të përfshijnë anëtarët e vet në vendimmarrje të shpresohet/besohet se mund të sjellin demokraci funksionale e mirëqeverisje për Tiranën, si dhe përfshirje të të gjithë qytetarëve të kryeqytetit në vendimmarrje?!

Në çdo shoqëri gabimet penalizohen, reflektohet dhe ndryshohen, reformat sjellin zhvillime pozitive. Në Shqipëria modelet e gabuara imponohet si standard për të ardhmen, e keqja normalizohet dhe parimi “me dhe për qytetarët” aplikohet “pa dhe mbi qytetarët”.