Kaos digjital në 74 vende! Defekti i Microsoft paralizon Teams dhe Outlook

Një ndërprerje masive në infrastrukturën e Microsoft-it ka shkaktuar probleme në të paktën 74 vende, duke nxjerrë jashtë funksionit shërbime të rëndësishme si Outlook, Microsoft Teams, OneDrive, SharePoint dhe Copilot.
Defekti nisi të enjten, më 12 nëntor, dhe vijoi edhe gjatë së premtes, duke penguar miliona përdorues të komunikojnë përmes platformave të kompanisë. Vetëm në SHBA, platforma Downdetector regjistroi afro 130 mijë raportime për probleme me Outlook në kulmin e ndërprerjes.
Microsoft shpjegoi se shkaku lidhej me mbingarkesën e infrastrukturës, pasi një numër i madh serverësh u bënë të padisponueshëm. Megjithëse kompania nisi rikthimin gradual të shërbimeve, disa serverë shfaqën sërish probleme pas rritjes së trafikut. Deri tani nuk ka indikacione për një sulm kibernetik.
Pasojat prekën edhe sektorë ekonomikë e institucione shtetërore. Në Japoni, disa banka dhe kompani financiare iu rikthyen përdorimit të fakseve për konfirmimin e transaksioneve. Kompania logjistike Sagawa Express pezulloi rezervimet brenda ditës për ruajtjen e bagazheve në stacione dhe aeroporte.
Vështirësi u raportuan gjithashtu nga kompani ajrore në Indi, institucione financiare në Tajvan dhe sisteme shtetërore në Singapor, SHBA dhe Australi. Edhe platformat e inteligjencës artificiale OpenAI dhe Anthropic hasën probleme në lidhjet me shërbimet e Microsoft-it.
Microsoft vijon përpjekjet për rikthimin e plotë të sistemeve, ndërsa ende nuk ka përcaktuar një afat për normalizimin e të gjitha shërbimeve.