Apeli liron nga arresti shtëpiak Klevi Metajn, 22-vjeçarin “hero” të protestave studentore

Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka ndryshuar masën e sigurisë për 22-vjeçarin Klevi Metaj, nga Gjirokastra, i arrestuar gjatë ditëve të para të protestave studentore, rreth një muaj më parë.
Apeli ka shfuqizuar masën “arrest në shtëpi”, duke e zëvendësuar me “detyrim për paraqitje” një herë në muaj pranë organit përkatës.
Vendimi është marrë pas ankimit të paraqitur nga mbrojtja e Metajt kundër masës së sigurisë të vendosur më herët nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Ndërkohë, avokati mbrojtës ka konfirmuar se është regjistruar edhe një kallëzim penal ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit, lidhur me pretendimet për trajtim çnjerëzor dhe degradues ndaj 22-vjeçarit gjatë ndërhyrjes policore.
Klevi Metaj u arrestua gjatë protestave studentore pranë Ministrisë së Arsimit. Pamjet e përplasjes së tij me disa efektivë policie, si dhe momenti kur u prangos në hekurat e portës së pasme të ministrisë, u përhapën gjerësisht edhe në mediat ndërkombëtare.
Pas rreth një muaji nën masën e arrestit shtëpiak, Metaj tashmë do të hetohet nën masën më të lehtë të detyrimit për paraqitje, ndërsa kallëzimi ndaj efektivëve të policisë për trajtimin e pretenduar ndaj tij mbetet një çështje më vete.