Maratona e Tiranës bllokon dhjetëra rrugë të dielën, ja akset dhe linjat urbane që preken

Tirana do të përballet me bllokime të shumta të qarkullimit rrugor të dielën, më 15 nëntor 2026, për shkak të zhvillimit të edicionit të dhjetë të Maratonës së Tiranës. Nga ora 08:00 deri në 16:00, dhjetëra rrugë dhe bulevarde kryesore të kryeqytetit do të mbyllen për automjetet, ndërsa disa linja të transportit publik do të devijohen ose pezullohen përkohësisht.
Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka hartuar një plan masash për menaxhimin e trafikut gjatë aktivitetit. Kufizimet do të prekin kryesisht qendrën e qytetit, Unazën e Mesme dhe disa prej akseve më të rëndësishme lidhëse.
Rrugët që do të bllokohen
Bllokimet përfshijnë sheshin “Nënë Tereza”, të gjithë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugët “Gjergj Filipi”, “Papa Gjon Pali II”, “Ismail Qemali”, “George W. Bush”, “Urani Pano”, “Ismail Ndroqi”, “Abdi Toptani”, bulevardin “Zogu I”, Bulevardin e Ri, rrugët “Ded Gjo Luli”, “Durrësit”, “Kavajës”, “Myslym Shyri”, “Ibrahim Rugova” dhe “Lek Dukagjini”.
Qarkullimi do të kufizohet gjithashtu në bulevardin “Zhan D’Ark”, nga kryqëzimi me rrugën “George W. Bush” deri te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”; në bulevardin “Bajram Curri”, nga ura e Gjykatës së Rrethit Tiranë deri te ura e rrugës së Elbasanit; si dhe në bulevardin “Gjergj Fishta”, nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri te ura e Gjykatës së Rrethit Tiranë.
Kufizimet përfshijnë edhe Unazën e Mesme, me përjashtim të segmentit nga ura e Gjykatës së Rrethit Tiranë deri te rruga e Elbasanit, rrugët “Luigj Gurakuqi”, “Dibrës”, “Barrikadave”, “Mine Peza”, “Vaso Pasha”, segmentin e rrugës së Kavajës nga ura pranë shkollës teknologjike deri te kryqëzimi “21 Dhjetori”, rrugën “Ismail Qemali” nga “Vaso Pasha” deri te “Sami Frashëri”, si dhe rrugën “Abdyl Frashëri” nga sheshi “Willson” deri te “Vaso Pasha”.
Si do të devijohet qarkullimi?
Për të shmangur hyrjen e automjeteve në segmentet e bllokuara, Policia do të vendosë drejtime të detyruara në disa kryqëzime të kryeqytetit.
Në kryqëzimin e rrugës së Elbasanit me bulevardin “Zhan D’Ark”, drejtuesit e mjeteve do të orientohen detyrimisht djathtas ose majtas, sipas drejtimit të lëvizjes. Devijime do të ketë edhe në kryqëzimin e rrugës së Dibrës me rrugën e Barrikadave dhe në kryqëzimin e rrugës “Hoxha Tahsim” drejt rrugës “Tefta Tashko Koço”.
Drejtime të detyruara do të zbatohen në bulevardin “Zogu I” me rrugën “Fortuzi”, në rrugën “Mine Peza”, në kryqëzimin “21 Dhjetori”, në kryqëzimin e rrugëve “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, si dhe në kryqëzimin “Vasil Shanto”.
Kufizime do të ketë edhe në kryqëzimin e rrugës “Pjetër Bogdani” me “Vaso Pasha”, në kryqëzimin e rrugës “Abdyl Frashëri” me “Vaso Pasha” dhe në rrugën “Adem Jashari”, për shkak të pezullimit të qarkullimit në segmentet që lidhen me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Ndryshimet në transportin publik
Maratona do të ndikojë edhe në funksionimin e linjave urbane. Linjat 1/A “Selitë–Kristal–Qendër–Stacioni i Trenit–Allias” dhe 1/B “Kodra e Diellit 2–Kristal–Qendër–Stacioni i Trenit–Allias” do të pezullohen përkohësisht.
Linja nr. 2 “TEG–Sauk i Vjetër–Kopshti Zoologjik–Ish-Stacioni i Trenit” do të devijohet te sheshi “Willson”, ndërsa linja nr. 3 “Kashar–Yzberisht–Qendër” do të devijohet te kryqëzimi “21 Dhjetori” dhe sheshi “Karl Topia”. Linja nr. 4 “Qendër–QTU–Megatek–City Park” do të devijohet gjithashtu te sheshi “Karl Topia”.
Linja 5/A “Ish-Kombinati i Autotraktorëve–Qendër” do të devijohet te ura e rrugës së Elbasanit, ndërsa linja 5/B “Institut–Qendër” te sheshi “Karl Topia”. Linja nr. 6 e Laprakës do të devijohet në bulevardin “Zogu I”.
Linja nr. 8, që lidh Ish-Stacionin e Trenit me Saukun, Sanatoriumin dhe TEG-un, do të devijohet te rrethrrotullimi “Qyteti Studenti”, ndërsa linja nr. 9 “Qyteti Studenti–Jordan Misja” do të pezullohet përkohësisht.
Linja 10/A “Materniteti i Ri–Qendër–Ish-Fusha e Aviacionit” do të devijohet te ura e rrugës së Elbasanit, ndërsa linja nr. 11 e Porcelanit do të pezullohet.
Linjat 12/A “Uzina Dinamo e Re–Sharrë” dhe 12/B “5 Maji–Sharrë” do të devijohen përmes kryqëzimit “21 Dhjetori”, urës “Vasil Shanto” dhe Pallateve me Shigjeta, ndërsa pjesët e tjera të itinerareve do të pezullohen përkohësisht. Për linjën 12/B, devijimi do të nisë nga bulevardi “Zogu I”.
Linja nr. 13 “Tirana e Re” do të devijohet te sheshi “Willson” dhe sheshi “Karl Topia”, ndërsa linja nr. 15 “Kombinat–Kinostudio” do të devijohet te kryqëzimi “21 Dhjetori” dhe kryqëzimi me rrugën e Barrikadave. Linja nr. 16, e njohur si “Linja e Gjelbër”, do të pezullohet përkohësisht.
Ndalim qarkullimi edhe brenda Unazës së Madhe
Përveç bllokimeve në rrugët kryesore, më 15 nëntor, nga ora 08:00 deri në 16:00, do të ndalohet qarkullimi brenda Unazës së Madhe për automjetet e transportit të përzier, mjetet teknologjike dhe automjetet e transportit të pasagjerëve. Nga ky kufizim përjashtohen mjetet e transportit urban qytetas, të cilat do të funksionojnë sipas itinerareve të ndryshuara.
Bllokimet do të zgjasin tetë orë dhe pritet të ndikojnë ndjeshëm në lëvizjen e automjeteve dhe qytetarëve, veçanërisht në zonat qendrore të Tiranës.