Skip to content
Kryesore

Rama e Balluku vijojnë lojën me postet, shkarkohet nga IKMT Afrim Qendro, emri i përfshirë në një sërë skandalesh

· 3 min lexim

Vazhdojnë shkarkimet dhe lëvizjet në postet drejtuese të administratës shtetërore, ku emra të lidhur prej vitesh me qeverisjen e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut largohen nga një detyrë për t’u rikthyer më pas në një tjetër, pavarësisht skandaleve dhe akuzave që kanë shoqëruar veprimtarinë e tyre.

Afrim Qendro është shkarkuar nga drejtimi i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), vetëm nëntë muaj pas emërimit në shkurt 2026, kur zëvendësoi Dallëndyshe Bicin. Lajmi është publikuar nga Vox News, ndërsa arsyet e largimit mbeten të panjohura.

Qendro nuk është një emër i ri në administratën shtetërore. Ai ka drejtuar Autoritetin Rrugor Shqiptar, ka qenë nënkryetar i Bashkisë Vlorë dhe prefekt i Tiranës, ndërsa emri i tij është përfshirë vazhdimisht në akuza dhe polemika për tenderë, konflikt interesi dhe shpërdorim detyre.

Në vitin 2019, Belinda Balluku e shkarkoi nga drejtimi i ARRSH-së pas skandalit të kompanisë DH Albania, e cila fitoi tenderin e Unazës së Re me dokumente të falsifikuara. Qendro u thirr në Prokurori për këtë çështje.

Ai është kallëzuar në SPAK edhe për projektin e rrugës Tiranë–Elbasan, lidhur me pretendimet për shpërdorim detyre dhe kosto arbitrazhi mbi 754 mijë euro. Në vitin 2021, emri i tij u përfshi gjithashtu në një kallëzim të Partisë Demokratike për shkelje të pretenduara zgjedhore në Vlorë.

Polemikat kanë përfshirë edhe bizneset me lidhje familjare. Kompania START CO, ku bashkëshortja e tij zotëronte 50% të aksioneve deri në prill 2026, u përfshi në një tender të Bashkisë Tiranë që u anulua pas evidentimit të konfliktit të interesit. Për një tjetër tender të OST-së, mediat kanë raportuar gjetje të KLSH-së mbi përdorimin tre herë të së njëjtës faturë për plotësimin e kritereve.

START CO dhe ERAL CONSTRUCTION COMPANY, kompani me lidhje të dokumentuara pronësie me familjarë të Qendros, rezultojnë përfituese të kontratave publike me vlera miliardëshe ndër vite. Tenderët e tyre në Himarë, Vlorë, Fier, Gjirokastër dhe Tiranë janë shoqëruar me raportime për dyshime favorizimi, skualifikime konkurrentësh dhe procedura me risk.

Edhe gjatë drejtimit të IKMT-së, institucioni lidhi një kontratë prej mbi 43 milionë lekësh me TIMAK Defence për blerje automjetesh përmes negociimit, me një paradhënie prej 8.6 milionë lekësh, procedurë që ngriti pikëpyetje për transparencën.

Pavarësisht këtyre historive, Qendro vijoi të emërohej në poste të rëndësishme shtetërore. Tashmë largohet sërish, pa një shpjegim publik për arsyet e shkarkimit.

Rasti i tij rikthen në vëmendje mënyrën se si funksionon qarkullimi i drejtuesve në administratën e Ramës: shkarkime, rikthime dhe emërime të reja, ndërsa akuzat dhe përgjegjësitë e ngritura ndër vite mbeten pa një sqarim të plotë publik.