Grabiti 60 mijë euro në bankën te Komuna e Parisit, arrestohet 50-vjeçari nga Vlora

Policia e Tiranës ka arrestuar Robert Dukën, 50 vjeç, nga Vlora, i dyshuar si autor i grabitjes së filialit të “Raiffeisen Bank” në zonën e Komunës së Parisit, më 2 nëntor. Ai u lokalizua dhe u arrestua pranë rrugës së Kosovarëve në kryeqytet, një javë pas ngjarjes.
Grabitja ndodhi rreth orës 10:45, pranë kompleksit “Kika”, kur një person i maskuar hyri në bankë dhe kërcënoi me një send që ngjante me armë zjarri punonjësin e sigurisë. Më pas iu drejtua arkëtares, të cilës dyshohet se i vendosi armën në kokë, duke e detyruar t’i dorëzonte paratë.
Brenda rreth tre minutash, grabitësi mori afërsisht 60 mijë euro dhe u largua me një monopatinë elektrike në drejtim të stadiumit “Selman Stërmasi”. Nga ngjarja nuk pati persona të lënduar.
Hetimet ngritën dyshime se autori mund të kishte pasur informacion mbi vendndodhjen e parave dhe ndihmë nga persona të tjerë, përfshirë mundësinë e bashkëpunimit nga brenda bankës. Megjithatë, deri tani nuk janë paraqitur prova që konfirmojnë përfshirjen e punonjësve.
Ndërkohë, Robert Duka dyshohet se mund të jetë përfshirë edhe në një tjetër grabitje bankare, të ndodhur disa muaj më parë në të njëjtën zonë të Tiranës.
Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të të dyja ngjarjeve dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale të 50-vjeçarit.