Skip to content
Kryesore

Helmim nga ushqimi në një kopsht në Vlorë, 7 fëmijë në pediatri, 5 të shtruar

· 1 min lexim

Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë kanë përfunduar në pediatri me simptoma të forta gastrointestinale, ndërsa dyshohet se janë helmuar nga ushqimi. Pesë prej tyre janë shtruar në spital dhe vijojnë të marrin trajtim mjekësor.

Fëmijët kanë shfaqur shqetësime gjatë mbrëmjes së kaluar, kryesisht dhimbje barku dhe të vjella të vazhdueshme, çka ka detyruar familjarët t’i drejtohen spitalit.

Ndërkohë, edhe prindër të tjerë kanë konfirmuar se fëmijët e tyre kanë shfaqur simptoma të ngjashme, por kanë zgjedhur t’u ofrojnë kujdes në banesë. Kjo ngre dyshime se numri i fëmijëve të prekur mund të jetë më i lartë se shtatë rastet e regjistruara në pediatri.

Spitali ka njoftuar Institutin e Shëndetit Publik, specialistët e të cilit kanë marrë mostra për analiza laboratorike, me qëllim përcaktimin e shkakut të dyshuar të helmimit.

Deri në daljen e rezultateve, mbetet e paqartë nëse simptomat janë shkaktuar nga ushqimi i konsumuar në kopsht apo nga një faktor tjetër.

Hetimi i shkakut është ende në proces, ndërsa pesë fëmijët e shtruar vazhdojnë të qëndrojnë nën kujdesin e mjekëve.