Studentët çojnë në Kushtetuese tre aktet e qeverisë: Gjobat, kufizimet e protestave dhe ndalimi i daljes jashtë vendit

Ankimet janë paraqitur nga grupimet “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, në bashkëpunim me Qendrën Res Publica, Komitetin Shqiptar të Helsinkit, Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë dhe EcoAlbania.
Në qendër të kundërshtimeve janë masat që parashikojnë kufizimin e tubimeve pranë institucioneve, gjoba deri në 500 mijë lekë, ndëshkime për mbulimin e fytyrës dhe qëndrimin në protesta të dhunshme, si dhe krijimin e një regjistri elektronik që lidhet me pengimin e protestuesve për të dalë jashtë vendit.
Gjatë deklaratës për mediat, studentët argumentuan se këto masa nuk kufizohen vetëm te personat që ushtrojnë dhunë, por mund të prekin edhe pjesëmarrësit paqësorë, duke cenuar të drejtën kushtetuese të tubimit dhe protestës.
“Tre akte të ndryshme, me një mesazh të përbashkët: kush ngre zërin kundër pushtetit, duhet të ketë frikë nga pasojat. Qeveria thotë se me këtë paketë “protesta paqësore mbrohet” dhe se “përgjegjësia është gjithnjë vetjake”, paketa “antidhunë” ndëshkon edhe ata që nuk kanë ushtruar dhunë”, deklaroi një prej studentëve.
Ata kërkojnë që Gjykata Kushtetuese t’i shqyrtojë ankimet me përparësi, ndërsa pezullimi i dispozitave të kundërshtuara të mbetet në fuqi deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
“Kërkojmë që Gjykata Kushtetuese t’i shqyrtojë ankimet me përparësi. I kërkojmë gjithashtu që, deri në vendimin përfundimtar, të pezullojë zbatimin e dispozitave për të cilat kemi kërkuar pezullim. Edhe nëse Kuvendi i miraton aktet normative, ankimet nuk mbeten pa objekt, i kemi kërkuar Gjykatës ta shtrijë kontrollin edhe te ligji miratues. Një brez i tërë të rinjsh po e nis jetën përballë një shteti që, në vend që t’u garantojë hapësirë për debat, kundërshtim e pjesëmarrje demokratike, u përgjigjet me dhunë e frikë. Nuk duam të rritemi duke mësuar se të kundërshtosh pushtetin është faj dhe se pjesëmarrja në protestë është arsye për t’u trajtuar si armik”, u shpreh një studente.
Studentët theksojnë se miratimi eventual i akteve normative nga Kuvendi nuk duhet ta pengojë shqyrtimin kushtetues. Për këtë arsye, ata kanë kërkuar që kontrolli i Gjykatës të shtrihet edhe mbi ligjet miratuese.
Nisma ligjore vjen në një kohë kur masat e qeverisë ndaj protestuesve kanë ngritur debat mbi kufijtë e ndërhyrjes së shtetit në ushtrimin e lirive kushtetuese, veçanërisht për sa i përket përgjegjësisë individuale, lirisë së tubimit dhe lëvizjes.
Studentët deklarojnë se nuk do të heshtin përballë padrejtësive, ndërsa tashmë i takon Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë kërkesat për pezullim dhe përputhshmërinë e dispozitave të kundërshtuara me Kushtetutën.