Edhe Marta Kos e pranon: Protestuesit kanë të drejtë, Rama duhet të plotësojë kushtet e BE-së, nuk mund të futemi vetëm me premtime

Edhe Marta Kos, komisionerja europiane për Zgjerimin, e cila ka shfaqur vazhdimisht afërsi publike me kryeministrin Edi Rama dhe ka mbajtur qëndrime të favorshme ndaj qeverisë së tij, tashmë detyrohet të përballet me një realitet që nuk mund të mbulohet me deklarata optimiste: Shqipëria nuk e ka të garantuar anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe një pjesë e kërkesave të protestuesve janë pikërisht detyrime që qeveria duhet të përmbushë për integrimin.
Në përgjigje të pyetjeve të A2 CNN, pas prezantimit të Progres-Raportit më 4 nëntor, Kos e kushtëzoi anëtarësimin me përmbushjen e detyrimeve nga qeveria dhe parlamenti, si edhe me mbështetjen e shteteve anëtare.
“Po, Shqipëria do të bëhet anëtare e Bashkimit Europian nëse qeveria dhe parlamenti do të përmbushin detyrimet e tyre dhe nëse shtetet anëtare do ta mbështesin këtë proces”, tha Kos.
Pra, edhe për Marta Kos, premtimet politike të Edi Ramës nuk mjaftojnë. Anëtarësimi nuk varet vetëm nga dëshira e Ramës për të shpallur afate, por nga reformat konkrete, respektimi i standardeve europiane dhe vendimmarrja e shteteve anëtare.
Por pjesa më domethënëse e deklaratës së saj lidhet me protestat që prej muajsh zhvillohen kundër qeverisë.
“Sa u përket protestuesve dhe protestave në Shqipëri, është e rëndësishme që njerëzit të kenë mundësinë të shprehin opinionet e tyre. Një pjesë e kërkesave që ata po parashtrojnë lidhet drejtpërdrejt me atë që ne po bëjmë në kuadër të procesit të anëtarësimit. Bëhet fjalë për kapitullin 27, që lidhet me legjislacionin mjedisor. Ky është vetëm një shembull se si Bashkimi Europian, përmes procesit të anëtarësimit, dëshiron ta ndihmojë vendin të arrijë objektivat e tij, duke u dhënë mbështetje edhe përfaqësuesve të shoqërisë civile”, deklaroi komisionerja.
Kjo deklaratë merr rëndësi të veçantë përballë retorikës së Ramës, i cili gjatë muajve të protestave i ka akuzuar dhe etiketuar vazhdimisht kundërshtarët e tij, duke i paraqitur tubimet edhe si pengesë për rrugën europiane të Shqipërisë.
Tashmë është vetë komisionerja europiane që pranon se një pjesë e protestuesve po kërkojnë pikërisht atë që kërkon Bashkimi Europian.
Madje, në një tjetër deklaratë për A2 CNN, Kos shkoi më tej, duke kërkuar ndryshime në legjislacionin për investimet strategjike dhe duke theksuar se këto përputhen me kërkesat e protestuesve.
Këtë qëndrim e përforcon edhe Progres-Raporti i Komisionit Europian për vitin 2026, i cili evidenton se ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura dhe zgjatja e ligjit për investimet strategjike kanë përkeqësuar mbrojtjen e natyrës dhe janë bërë një nga shkaqet themelore të protestave.
Pikërisht këtu qëndron kontradikta: qytetarët protestojnë kundër politikave që institucionet europiane kërkojnë të ndryshohen, ndërsa kryeministri i ka paraqitur protestat si kërcënim për integrimin.
Gazeta Reforma ka ngritur më herët pikëpyetje për qëndrimet e Marta Kos ndaj qeverisë Rama, për vlerësimet e saj pozitive mbi progresin e Shqipërisë dhe për kontrastin mes këtyre vlerësimeve dhe problemeve të evidentuara nga institucionet europiane.
Afërsia publike mes Kos dhe Ramës ka ngritur një çështje thelbësore për besueshmërinë e procesit: a po vlerësohet Shqipëria mbi bazën e standardeve të njëjta që zbatohen për çdo vend kandidat, apo po mbizotëron mbështetja politike për qeverinë?
Deklaratat e fundit të Kos nuk përbëjnë një pranim të gabimeve të saj të mëparshme, por nxjerrin edhe më qartë në pah kufijtë e mbështetjes politike që Brukseli mund t’i japë Ramës përballë detyrimeve konkrete të anëtarësimit.
Mesazhi është i qartë: Shqipëria nuk hyn në BE sepse Edi Rama premton se do ta anëtarësojë, dhe qytetarët nuk bëhen kundërshtarë të integrimit sepse protestojnë kundër qeverisë.
Përkundrazi, siç e pranon tashmë edhe Marta Kos, disa prej kërkesave të tyre janë pjesë e vetë standardeve që Shqipëria duhet të përmbushë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian.