Skip to content
Kryesore

Tragjedia në Elbasan/ Dy jetë të humbura nën rrënoja, 10 të lënduar dhe pallati drejt shembjes: Zbardhen shkaqet e shpërthimit

· 3 min lexim

Shpërthimi i fuqishëm që tronditi pasditen e së mërkurës një pallat në lagjen “Qemal Stafa” të Elbasanit u mori jetën dy personave, ndërsa dhjetë banorë të tjerë mbetën të lënduar. Viktimat janë Hamit Ibro, 69 vjeç, dhe Hatixhe Berisha, 82 vjeçe. Ngjarja shkaktoi dëme të mëdha materiale, ndërsa ekspertët e Institutit të Ndërtimit kanë deklaruar se pallati duhet të shembet, pasi është tepër i rrezikshëm për banim.

Sipas Policisë së Elbasanit, nga hetimet paraprake dyshohet se shpërthimi dhe zjarri që pasoi u shkaktuan nga grumbullimi i tepërt i gazit në banesën e 69-vjeçarit Hamit Ibro, në katin e tretë të ndërtesës.

Trupi i pajetë i tij u gjet rreth orës 00:40, pas disa orësh kërkimesh intensive nga Policia, Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe shërbimet zjarrfikëse. Ndërkohë, 82-vjeçarja Hatixhe Berisha humbi jetën në vendngjarje. Dhjetë banorët e lënduar morën ndihmë mjekësore dhe më pas u larguan nga spitali.

Fuqia e shpërthimit shkaktoi shembjen e një pjese të katit të katërt mbi katin e tretë, duke dëmtuar rëndë strukturën e pallatit dhe disa apartamente. Ekspertët e Institutit të Ndërtimit, pas mbërritjes në vendngjarje, e vlerësuan ndërtesën si të pabanueshme dhe deklaruan se ajo duhet të shembet për shkak të rrezikshmërisë së lartë.

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës në Elbasan, Emirjon Sota, sqaroi se dy viktimat humbën jetën nga shpërthimi dhe jo nga flakët.

“Të dy trupat e viktimave që janë gjetur brenda pallatit, janë gjetur nën rrënoja dhe kanë humbur jetën nga shpërthimi, jo nga zjarri”, deklaroi ai.

Sota bëri të ditur se njoftimi për ngjarjen mbërriti rreth orës 14:30. Kur zjarrfikësit mbërritën, flakët kishin përfshirë katin e tretë dhe të katërt, ndërsa dëmtimi i shkallëve të brendshme kishte vështirësuar evakuimin e banorëve. Për përballimin e situatës u kërkuan përforcime edhe nga bashkitë e tjera.

Ndërhyrja u krye nga të dyja anët e pallatit, ndërsa përdorimi i autoshkallës mundësoi evakuimin e personave të bllokuar në katet e katërta dhe të pesta, mes tyre fëmijë dhe të moshuar.

“Duke marrë shkas nga lloji i zjarrit, nga shpërthimi i fuqishëm, nga bllokimi i hyrjes së pallatit, pasojat ndoshta do ishin më katastrofike”, theksoi Sota.

I pyetur për kapacitetet e Shërbimit Zjarrfikës, ai deklaroi se Bashkia Elbasan disponon tetë mjete: gjashtë mjete zjarrfikëse me pompë centrifugale, një autobot dhe një autoshkallë. Sipas tij, shërbimi kishte mjetet e nevojshme për ndërhyrjen, ndërsa punonjësit kryen misionin e tyre për shpëtimin e banorëve.

Ndërkohë, strukturat hetimore të Policisë së Elbasanit, në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s dhe nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë këqyrjen e vendngjarjes dhe veprimet për përcaktimin përfundimtar të shkakut të shpërthimit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vlerësim.

Tragjedia ka lënë pas dy familje në zi dhe një pallat të shkatërruar, ndërsa banorët e tjerë përballen me pasigurinë për të ardhmen e banesave të tyre, të cilat tashmë janë vlerësuar si të rrezikshme për banim.