Skip to content
Kryesore

Auron Tare: Kumbaro hapi Kutinë e Pandorës, 800 hektarë të Butrintit për oligarkët, ligji lejon që një fond serb të marrë Kalanë e Shkodrës

· 4 min lexim

Studiuesi Auron Tare ka ngritur akuza ndaj ish-ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, lidhur me ndryshimet ligjore që mundësuan kalimin e administrimit të Parkut Arkeologjik të Butrintit te një fondacion. Sipas tij, ligji krijoi një precedent të rrezikshëm për trashëgiminë kulturore shqiptare, ndërsa 800 hektarë të territorit të mbrojtur u janë dhënë oligarkëve për ndërtim.

I ftuar në emisionin “Të Pashoq”, në podkastin e Pamfletit, Tare deklaroi se legjislacioni u hartua për t’i mundësuar Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF) administrimin e Butrintit, por pasojat e tij mund të shtrihen edhe te monumente të tjera historike në Shqipëri.

“Ligji që zonja Kumbaro bëri me ndërhyrjen dhe pagesën, e verifikuar kjo, të Fondit Shqiptaro-Amerikan (AADF) si e ka emrin, hapi Kutinë e Pandorës sepse me ligj sot për shembull, një fondacion grek brenda ligjit tonë, mund të vijë të marrë në administrim Kalanë e Gjirokastrës, për shembull. Apo pjesën, pjesën e vjetër të Gjirokastrës. Apo nuk e di, Finiqin. Apo një fond serb mund të vijë të marrë Kalanë e Shkodrës. Ligji e lejon.”

Sipas studiuesit, ndryshimet ligjore nuk prekën vetëm Butrintin, por krijuan një model administrimi që mund të zbatohet edhe për pasuri të tjera kulturore.

“Pra, bën një ligj me porosi vetëm për Fondin Shqiptaro-Amerikan që të marrë Butrintin. Dhe dëmtuan të gjithë sistemin e trashëgimisë kulturore shqiptare duke krijuar një precedent shumë të rrezikshëm për të ardhmen”, deklaroi Tare.

Një tjetër çështje e ngritur prej tij lidhet me territorin e Parkut Kombëtar të Butrintit dhe zhvillimet ndërtimore në zonat që më parë gëzonin mbrojtje.

Tare pretendon se 800 hektarë janë vënë në dispozicion të interesave private për ndërtim, ndërsa projekte të tjera po planifikohen pranë Liqenit të Butrintit.

“Një përgjigje shumë të thjeshtë. Ju për shembull si gazetare bashkë me kameramanin mund të shkoni atje dhe ta shikoni vetë se çfarë po bëhet. Se çfarë po bëhet në zonën e ruajtur, e cila u ruajt për disa dekada rresht, u kthye në një nga simbolet më të mira të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare të ruajtjes së pasurisë kulturore dhe natyrore.

Dhe sot, 800 hektarë i është dhënë disa oligarkëve për ndërtim. Një pjesë tjetër nga Liqeni i Butrintit po planifikohet dhe atje t’i jepet. Dhe qendra arkeologjike iu dha një fondi të huaj. Një rast i paprecedent të paktën nën ombrellën e pasurive botërore të UNESCO-s, nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër”, u shpreh ai.

Studiuesi kundërshtoi gjithashtu mënyrën se si Kuvendi miratoi modelin e administrimit, duke theksuar se nisma mori mbështetje nga përfaqësues të të dy krahëve politikë.

“Dhe po të shikosh, kur ndodhi kjo, si krahu demokrat ashtu dhe krahu socialist në parlament, votuan pro. Pra kemi parlamentarë të cilët votojnë që pjesa e trashëgimisë së tyre kulturore t’jua japin disa të huajve për ta administruar. Është skandal i pafalshëm.

Dhe si media, si publiku shqiptar në përgjithësi nuk ngrenë zërin. Nuk flasim. Pse? Media për interesat e tyre, publiku shqiptar ndoshta nuk ka, si të thuash, kuptimin e duhur për të parë se sa e rrezikshme është ky veprim i paprecedent”, deklaroi Tare.

Për të ilustruar rëndësinë e çështjes, ai e krahasoi Butrintin me monumente të njohura europiane, duke argumentuar se një pasuri e trashëgimisë botërore duhet të trajtohet me të njëjtën përgjegjësi institucionale.

“Pra, imagjinoni në Greqi që Greqia t’i japi një fondi kushdo qoftë ai i huaj, Akropolin. Apo Roma t’i japi, nuk e di, Koloseun, apo Franca t’i japi Luvrin e të tjerë e të tjerë. Pra në këtë nivel”, tha ai.

Deklaratat e Tares rikthejnë në vëmendje debatin mbi administrimin e Butrintit, ndryshimet në kufijtë e zonës së mbrojtur dhe ndikimin e projekteve të ndërtimit në një prej pasurive më të rëndësishme arkeologjike dhe natyrore të Shqipërisë.

Pretendimet e tij për 800 hektarët e dhënë për ndërtim, ndikimin e AADF-së në hartimin e ligjit dhe mundësinë që fondacione të huaja të administrojnë monumente të tjera kërkojnë verifikim përmes dokumenteve ligjore dhe vendimeve përkatëse.