Skip to content
Kryesore

“E kam vrarë nënën time, do ta gjeni në shtëpi”/ 21-vjeçari shqiptar e qëlloi rreth 10 herë me thikë, u dorëzua në polici me rrobat e gjakosura

· 3 min lexim

Detaje tronditëse janë zbardhur nga vrasja e 39-vjeçares shqiptare Meleqe Lusha në Itali, e cila u vra nga djali i saj 21-vjeçar, Eduart Xhani. Sipas të dhënave të reja të hetimit, e ndjera është goditur rreth 10 herë me thikë në pjesën e sipërme të trupit, ndërsa i biri është paraqitur disa orë më vonë në polici, me rrobat e mbuluara me gjak, duke deklaruar: “E kam vrarë nënën time, do ta gjeni në shtëpi”.

Krimi i rëndë ndodhi gjatë natës në banesën e familjes, në rrugën Tagliata të qytetit Chiari, në provincën e Brescias. Pas vrasjes, 21-vjeçari është larguar nga apartamenti dhe ka kaluar disa orë duke u endur, përpara se të vetëdorëzohej në një kazermë të Karabinierëve në Cremona.

Pas deklaratës së tij, Eduart Xhani është mbyllur në heshtje. Sipas hetuesve, ai ka folur me vështirësi dhe nuk ka dhënë asnjë shpjegim për arsyet që e çuan drejt krimit.

Prokurorja e gatshme e Brescias, Laura Matrone, ka lëshuar urdhrin e ndalimit ndaj 21-vjeçarit, i cili rreth 12 orë pas vetëdorëzimit është transferuar në burgun Canton Mombello në Brescia.

Ndërkohë, ekspertët e hetimeve shkencore të Karabinierëve kanë kryer këqyrje në apartamentin ku ndodhi vrasja, duke mbledhur prova për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes. Motivi i krimit mbetet ende i paqartë.

“Ishte shembull për komunitetin”, dëshmia e shqiptarit që e njihte Eduartin

Një tjetër dëshmi ka ardhur nga Dennis Beqiri, president i Shoqatës së Shqiptarëve në Chiari dhe pronar i një agjencie imobiliare, ku 21-vjeçari kishte kryer një praktikë gjatë shkollës.

“Eduarti ishte një djalë shumë i mirë, i edukuar dhe serioz. Ishte shembull për komunitetin. Gjithmonë vinte në kohë, ishte i buzëqeshur dhe korrekt. Isha i bindur se do të kishte një të ardhme të suksesshme”, ka deklaruar Beqiri.

Sipas informacioneve të publikuara nga mediat italiane, Eduart Xhani kishte lindur në San Bonifacio, në provincën e Veronës, ishte shkolluar në Institutin Einaudi dhe punonte në një fabrikë të zonës.

Siç është raportuar më herët, Meleqe Lusha e kishte rritur e vetme të birin pas ndarjes nga bashkëshorti, kur Eduarti ishte ende i vogël. Ajo punonte në Spitalin Civil të Brescias dhe kishte pasur mbështetjen e katër vëllezërve të saj.

Kryebashkiaku i Chiarit, Gabriele Zotti, kishte deklaruar më parë se familja shqiptare ishte e integruar në komunitet dhe se 21-vjeçari nuk kishte qenë i njohur për probleme apo sjellje shqetësuese.

Ndërsa dëshmitë e personave që e njihnin përshkruajnë një të ri të sjellshëm dhe korrekt, hetuesit italianë po përpiqen të zbardhin se çfarë ndodhi gjatë natës së krimit dhe çfarë e shtyu 21-vjeçarin të vriste nënën e tij.