Skip to content
Kryesore

Vrasja e Arlinda Zekajt, dorëhiqet drejtori i Policisë së Kosovës pas dështimeve institucionale

· 1 min lexim

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqjen nga detyra, pas reagimeve të shumta për mënyrën se si institucionet trajtuan denoncimet e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi se Albin Kurti ka pranuar dorëheqjen e Hoxhës dhe e ka liruar nga detyra. Me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kurti ka emëruar Fehmi Hotin ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Dorëheqja vjen ndërsa po hetohen veprimet dhe mosveprimet e institucioneve, pasi Arlinda Zekaj kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje nga policia dhe prokuroria, duke paralajmëruar rrezikun për jetën e saj.

Ndërkohë, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar pezullimin e 11 zyrtarëve policorë, ndërsa Këshilli Prokurorial ka pezulluar kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e çështjes, Arlinda Nallbani-Gacaferri.

Ndaj tyre janë paralajmëruar edhe procedura hetimore dhe disiplinore, ndërsa rasti ka ngritur shqetësime serioze për përgjegjësinë e institucioneve që duhej të garantonin mbrojtjen e viktimës.