Unioni Turistik kundër Paketës Fiskale 2027: Rritja e taksave godet bizneset dhe konkurrueshmërinë

Unioni Turistik Shqiptar ka kundërshtuar Paketën Fiskale 2027, duke paralajmëruar se rritja e TVSH-së nga 6% në 10% dhe e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15% do të rëndojë bizneset, do të frenojë investimet dhe do të dobësojë konkurrueshmërinë e turizmit shqiptar.
Në një deklaratë publike, organizata thekson se ndryshimet e propozuara “rëndojnë më tej klimën e biznesit, dobësojnë konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe frenojnë investimet private”.
Unioni sjell në vëmendje se Greqia aplikon TVSH prej 13% për shërbimet turistike, ndërsa Maqedonia e Veriut 5% për akomodimin dhe 10% për shërbimet e tjera. Ndërkohë, tatimi mbi dividendin në Greqi është 5% dhe në Kroaci 10%, krahasuar me 15% që propozohet në Shqipëri.
Goditja më e menjëhershme pritet në sezonin turistik 2027. Kontratat me operatorët ndërkombëtarë janë nënshkruar dhe çmimet janë përcaktuar prej muajsh. Kjo do të thotë se bizneset nuk mund t’ua kalojnë automatikisht turistëve koston shtesë të TVSH-së, por rrezikojnë ta përballojnë vetë.
Unioni kërkon rishikimin e masave, konsultim me bizneset dhe periudha tranzitore për të shmangur dëmtimin e kontratave dhe investimeve ekzistuese.
“Ne nuk jemi kundër reformës fiskale. Përkundrazi, jemi për një reformë që lufton evazionin, lufton informalitetin dhe konkurrencën e pandershme, përmirëson administrimin e të ardhurave publike dhe garanton drejtësi në taksim, pa dëmtuar zhvillimin ekonomik të vendit”, përfundon deklarata.