Bizneset kundër paketës fiskale të Ramës: 85 milionë euro barrë shtesë pa konsultim

Paketa fiskale e propozuar nga qeveria Rama për vitin 2027 po përballet me kundërshtime nga shoqatat e biznesit. Pas paralajmërimeve për rritjen e taksave, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë ka reaguar ashpër, duke kundërshtuar ndryshimet që po përgatiten pa konsultim real dhe transparent me sipërmarrjen.
Sipas vlerësimeve paraprake të paraqitura nga shoqata, vetëm rritja e tatimit mbi fitimin dhe dividendin mund t’u kushtojë bizneseve rreth 85 milionë euro shtesë në vit.
Paketa parashikon rritjen e tatimit mbi fitimin nga 15% në 17%, pothuajse dyfishimin e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, si dhe rritjen e TVSH-së standarde nga 20% në 21%.
Ndryshimet prekin edhe turizmin, ku norma e reduktuar e TVSH-së propozohet të rritet nga 6% në 10%.
Një tjetër masë është ulja e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore, duke përfshirë rreth 17.516 tatimpagues të rinj nga 1 janari 2027.
Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë paralajmëron se këto ndryshime, nëse miratohen, do të pakësojnë fitimet që u mbeten kompanive për investime, zgjerim dhe modernizim të prodhimit.
Rritja e TVSH-së mund të ndikojë edhe te çmimet për konsumatorët, ndërsa bizneset e vogla do të përballen me më shumë procedura, detyrime deklarimi dhe nevoja për likuiditet.
Shoqata ngre gjithashtu shqetësimin se rritja e taksave mbi bizneset që deklarojnë aktivitetin e tyre, pa luftuar efektivisht informalitetin, mund të thellojë konkurrencën e pandershme.
Kundërshtimi nuk lidhet vetëm me rritjen e taksave, por edhe me mënyrën se si po përgatiten ato.
Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë kërkon publikimin e plotë të propozimeve, analizat e ndikimit ekonomik, konsultim të strukturuar me sipërmarrjen dhe kohë të mjaftueshme për përshtatjen me ndryshimet.
“Zëri i sipërmarrjes duhet të dëgjohet përpara çdo vendimmarrjeje me karakter ekonomik”, thekson shoqata.
Kundërshtimeve u është bashkuar edhe Shoqata Pro Eksport, e cila ka paralajmëruar për pasojat e rritjes së tatimit mbi fitimin dhe dividendin.
Reagimet vijnë në një periudhë pakënaqësie dhe protestash ndaj qeverisë, duke shtuar një tjetër front kundërshtimi ndaj politikave të saj.
Ndërsa qytetarët kërkojnë llogari për përdorimin e parave publike, tashmë edhe prodhuesit e eksportuesit kundërshtojnë barrën e re fiskale dhe mungesën e konsultimit.
Çështja që shtrohet është nëse qeveria ka vlerësuar mjaftueshëm ndikimin e këtyre masave mbi prodhimin vendas, punësimin, investimet dhe çmimet, përpara se të propozojë mbledhjen e miliona eurove shtesë nga sipërmarrja.
Për momentin, ndryshimet mbeten propozime, ndërsa bizneset kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet përpara miratimit.