Dy ditë nga vrasja e paralajmëruar e Arlinda Zekajt, kunati ende në arrati! Policia gjen armë, thika e sëpatë në banesën e tij

Dy ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, 49-vjeçares që kishte paralajmëruar shtetin se jeta e saj ishte në rrezik, autori i dyshuar vijon të jetë në arrati. Policia e Kosovës ka bastisur banesën e kunatit të viktimës, Albert Sylaj, ku ka sekuestruar armë, municione, thika dhe një sëpatë. Ndërkohë, Prokuroria ka kërkuar paraburgimin e ish-bashkëshortit të Arlindës për shkelje të urdhrit gjyqësor të mbrojtjes.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit janë zbuluar një pushkë gjuetie, 153 fishekë, disa karikatorë dhe pajisje armësh, tre thika, një bajonetë, 115 gëzhoja dhe një sëpatë.
“Lidhur me rastin, gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit mashkull kosovar, është gjetur dhe sekuestruar: një pushkë gjuetie, 153 fishekë, disa karikatorë, disa pajisje të armës, tri thika, një bajonetë, 115 gëzhoja dhe një sëpatë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Autoritetet nuk kanë konfirmuar ende nëse sëpata e sekuestruar është përdorur në vrasje. Hetimet vijojnë, ndërsa Albert Sylaj nuk është arrestuar.
Prokuroria kërkon paraburgimin e ish-bashkëshortit: Dyshohet se kërcënoi Arlindën
Paralelisht me kërkimet për autorin e dyshuar, Prokuroria Themelore në Pejë ka paraqitur kërkesë për paraburgimin e Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të viktimës.
Ai dyshohet për mospërfillje të gjykatës, pasi kishte një urdhër që e ndalonte të ushtronte dhunë fizike apo psikologjike ndaj Arlindës, ta pengonte në lëvizje, ta ofendonte, shqetësonte apo kërcënonte.
“I pandehuri dyshohet se ka ushtruar sërish dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, tani të ndjerës A.Z., duke iu drejtuar me fjalë kërcënuese. Gjithashtu, dyshohet se ka marrë rrobat e vendosura nga viktima në rrobalarëse dhe i ka hedhur në oborrin e shtëpisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
E paralajmëroi vrasjen, por nuk u mbrojt
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Pejë, rreth dhjetë minuta pasi policia e kishte shoqëruar në banesën e saj, pas një denoncimi për dhunë në familje.
Vetëm tre ditë përpara tragjedisë, ajo kishte kërkuar ndërhyrjen urgjente të institucioneve, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik dhe duke denoncuar neglizhencën e pretenduar të zyrtarëve përgjegjës.
Në shkresat drejtuar kryeprokurores së Pejës, kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë dhe Kryeprokurorit të Shtetit, Arlinda i kishte cilësuar kërkesat e saj si shpresën e fundit për mbrojtje.
Vrasja e saj ka ngritur pikëpyetje serioze për mënyrën se si institucionet trajtuan denoncimet dhe zbatuan urdhrin e mbrojtjes.
Dy ditë pas krimit, i dyshuari kryesor mbetet i lirë, ndërsa hetimet duhet të zbardhin jo vetëm vrasjen, por edhe nëse paralajmërimet e Arlindës u shpërfillën nga ata që kishin detyrimin ta mbronin.