Dhuna policore në protestë, operohet 19-vjeçari me këmbë të thyer

19-vjeçari me inicialet L.B., i cili pësoi thyerje të këmbës gjatë protestës së 13 tetorit në Tiranë, po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin e Traumës. I riu mbeti i plagosur pas goditjeve që dyshohet se mori nga efektivët e Policisë gjatë ndërhyrjes së tyre ndaj protestuesve.
Lëndimi i 19-vjeçarit ishte ndër rastet më të rënda të regjistruara gjatë protestës. Një ditë më parë, shefi i Urgjencës në Spitalin e Traumës, Agustin Suma, konfirmoi se i riu kishte pësuar frakturë në kërcirin e djathtë dhe se ishte paraqitur në spital në gjendje të qëndrueshme.
Pamjet e dhunës së ushtruar ndaj protestuesve kanë shkaktuar reagime, duke ngritur pikëpyetje mbi proporcionalitetin e forcës së përdorur nga Policia dhe mënyrën e menaxhimit të protestës.
Ndërkohë, ndaj punonjësve të Policisë janë marrë masa pezullimi në lidhje me ngjarjen. Informacionet e publikuara për numrin e efektivëve të pezulluar janë kontradiktore, pasi përmenden katër dhe pesë punonjës policie.
Ndërsa 19-vjeçari i nënshtrohet operacionit për dëmtimin e pësuar, mbetet për t’u sqaruar përgjegjësia individuale e efektivëve të përfshirë dhe rrethanat në të cilat u ushtrua dhuna gjatë protestës.