Shefi i Urgjencës te Trauma: Asnjë viktimë apo i intubuar nga protesta, 19-vjeçari me këmbën e thyer

Shefi i Urgjencës në Spitalin e Traumës, Agustin Suma, ka konfirmuar se nuk ka asnjë humbje jete apo pacient të intubuar si pasojë e protestës së studentëve. Gjatë protestës janë regjistruar disa persona të lënduar, mes tyre protestues, efektivë policie dhe kalimtarë.
Rastin më të rëndë e përbën 19-vjeçari L.B., i cili ka pësuar frakturë në kërcirin e djathtë, pas dhunës së ushtruar nga policia, sipas raportimit. Suma bëri të ditur se i riu është transportuar në Spitalin e Traumës në gjendje të stabilizuar, pasi ka marrë ndihmën e parë nga shërbimi i urgjencës 127.
Agustin Suma deklaroi:
“Gjatë pasdites së sotme në Spitalin e Traumës janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore protestues, efektivë, kalimtarë. Dëmtimi më i rëndë është një frakturë e kërcirit të djathtë që do të trajtohet sipas procedurës. Ritheksoj që nuk ka asnjë pacient të intubuar dhe asnjë humbje jete.
Nga ana e 127 është bërë imobilizimi në terren. Tek ne ka ardhur në gjendje të stabilizuar. Djali është në gjendje të stabilizuar. Ndihma e parë është dhënë nga ekipi ortoped dhe djali po plotësohet me të gjitha ekzaminimet e tjera dhe është për ndihmë në ortopedi.
Përfaqësuesi i trupit diplomatik austriak ka ardhur nga QSUT, kishte disa dëmtime në kokë, është përcjellë me mjekim në shtëpi.”
Sipas Sumës, ndihmë mjekësore ka marrë edhe një përfaqësues i trupit diplomatik austriak, i cili kishte pësuar dëmtime në kokë. Pas trajtimit, ai është larguar drejt banesës.
Në total, në Spitalin e Traumës janë trajtuar shtatë efektivë policie, ndërsa në momentin e deklaratës vijonte trajtimi i tre rasteve.
Deklarata e shefit të Urgjencës konfirmon se, pavarësisht lëndimeve të regjistruara gjatë protestës, nuk ka pasur viktima apo pacientë që kanë kërkuar intubim.