Erioni nuk mund të iki nga Partia Socialiste, por ka 13 vjet që vendos gozhdë në arkmortin e saj

Nga Irena Beqiraj
“Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis” – ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme të dëmshme, pikërisht për të penguar planin e përjashtimit të tij nga partia.
Megjithatë, për pyetjen më e vështirë dhe më e rëndësishme se si mund të bësh kompromis pa përfunduar i kompromentuar, apo cili kompromis të katapulton në tokën e të kompromentuarve, Erioni edhe disa socialistë të vjetër që vazhdojnë të notojnë në ujërat e pista të pushtetit të Ramës, nuk kanë përgjigje.
Edhe me të drejtë nuk e kanë! Të kërkosh të identifikosh se humbja e cilës fije të flokut do të klasifikonte në kategorinë e tullacëve është e pamundur.
Aftësia e shpirtit njerëzor për të racionalizuar zgjedhjet e gabuara është e pakufishme. Në historinë njërëzore nuk ka pothuajse asnjë dëm politik ekonomik a social i cili nuk është justifikuar me parimin e së keqes më të vogël.
Justifikimi për votën pro ndaj reformës teritoriale ishte analitikisht i dobët, por duhet thënë i ndershëm. I vrazhdë, por në mënyrë ngushëlluese i sigurt në vetvete , qëndrimi i Erionit, Elisës apo Vullnetit të kujton marsin e vitit 1933, kur Hitleri prezantoi Aktin e Mundësimit, akt i cili do t’i lejonte atij dhe kabinetit të tij mundësinë për të sunduar nëpërmjet akteve normative , duke e çmontuar demokracinë në thelbin e saj.
Vetëm nëse Partia e Qendrës do të rezistonte, mund të bllokohej miratimi i aktit. Kaas dhe kolegët e tij debatuan për orë të tëra, të ndarë midis mbrojtjes së parimit dhe vetëmbrojtjes.
Nga frika e pasojave të sfidës , apo nga shpresa se duke bashkëpunuar me Hitlerin, ata mund të ndikonin te Hitleri apo ta kontrollonin atë, Kaas e bindi veten se opsioni i tij më i mirë ishte të bashkëpunonte brenda realitetit të ri, në mënyrë që të mos shtypej prej tij.
“Ne duhet ta ruajmë shpirtin tonë, por një refuzim i Aktit të Mundësimit do të rezultojë në pasoja të pakëndshme për ne ”. u tha ai kolegëve të tij .
Akti u miratua duke i hapur rrugën diktaturës së Hitlerit.
Mbështetja për aktin nuk kishte asgjë strategjike as në rafshin politik e as në atë personal.
Me mbështetjen e tyre, Kaas edhe kolegët e tij nuk i moderuan dot qëndrimet e Hitlerit, përkundrazi i dhanë atij kontroll të plotë.
Dorëzimi përballë një kërcënimi në rritje, nuk është strategji, edhe bindja ndaj një autokrati nuk është as mbijetesë.
Pas çdo lëshimi, që i bëni kryetarit, autokrati bëhet më të guximshëm më i pushtetshëm. Qëndrimet që shpesh i konsideroni pragmatike , duke pritur, duke fituar kohë, duke heshtur, duke arritur një marrëveshje, rezultojnë vetëm në erozionin e fuqisë politike , edhe në dobësimin e guximit politik .
Demokracia brenda partisë nuk vdes në një moment të vetëm. Ajo shkatërrohet nëpërmjet dorëzimit , racionalizimeve dhe kompromiseve. Partia Socialiste vdiq kur kur anëtarët me ndikim brenda saj mësuan ti thonë vetes se po të lëshojnë vetëm pak terren do të jemi më të sigurt, apo se gjetja e një gjuhe të përbashkët me një përçarës është më praktike sesa të qëndrosh kundër tij.
Kryetari autokrat i cili e urdhëroi Erionin , Vullnetin, Elisën si të votojnë nuk triumfoi kurrë vetë. Ai pati sukses sepse po këta edhe të tjerët e mundësuan atë, për shkak të ambicies së tyre, për shkak të frikës së tyre ose sepse i gjykuan gabim rreziqet e kompromiseve të vogla.
I njëjti Erion para pak kohësh deklaroi se “nga Rama na ndan vetëm humbja e pushtetit”. Pra, as keqqeverisja, as mungesa e demokracisë dhe as korrupsioni; vetëm pushteti.
Ndaj në 13 vite praktikimi i artit të pranimit , i ka çuar drejt tradhtisë së elektoratit madje drejt përqafimit të ligësisë , duke vendosur çdo herë që kanë votuar ligje të padrejta, gozhdë në arkmortin e partisë socialiste, të cilin do ta nderonin nëse për shkak të kundërshtimit do ti përjashtonin .
Distancimi me votë nga e keqja është përgjegjësia e parë politike që keni karshi partisë edhe elektoratit .
Por me kohë e keni harruar këtë !