“32 ditë pa drejtësi për Ballukun”, Bardhi: SPAK të mos presë lejen e Ramës

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar sërish për çështjen e Belinda Ballukut, duke denoncuar atë që e cilëson zvarritje të veprimeve të drejtësisë ndaj saj. Bardhi thekson se kanë kaluar 32 ditë pritjeje, ndërsa Balluku, për të cilën ai përmend 14 akuza penale, vijon të ushtrojë funksione publike.
Në reagimin e tij, deputeti demokrat rendit dy akuza për korrupsion, dy për pastrim parash, dy për fshehje pasurie dhe tetë për shkelje të barazisë në tendera.
Bardhi e konsideron të papranueshme që Balluku të vazhdojë të marrë vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, ndërsa ngre pikëpyetje mbi standardet me të cilat drejtësia trajton zyrtarët e lartë.
“Mosveprimi dhe zvarritja në çështjen e Belinda Ballukut ngrenë pikëpyetje serioze mbi zbatimin e barabartë të ligjit dhe forcojnë perceptimin se në Shqipëri, për njerëzit me pushtet ose të mbrojtur nga pushteti, drejtësia ecën me një ritëm tjetër”, deklaron Bardhi.
Ai i kërkon SPAK të veprojë pa vonesa të pajustifikuara dhe të garantojë zbatimin e barabartë të ligjit, pavarësisht pozicionit politik të personave nën hetim.
“Drejtësia nuk mund të presë sinjale politike dhe as të kushtëzohet nga vullneti i Kryeministrit. Ajo duhet të veprojë e pavarur, me integritet dhe me të njëjtin standard për këdo”, thekson ai.
Në përfundim, Bardhi kërkon përgjegjësi institucionale dhe veprime konkrete nga organet e drejtësisë, duke këmbëngulur se askush nuk duhet të gëzojë privilegje apo paprekshmëri për shkak të pushtetit politik.
Reagimi vjen pas rikthimit të Ballukut në Kuvend, ku ajo mori pjesë në votimin e reformës territoriale, pavarësisht çështjes penale që lidhet me të.