Skip to content
Kryesore

Alarm për jetesën në Tiranë: Qiratë gllabërojnë pagat, ndotja dhe betoni e fundosin kryeqytetin në fund të Europës

· 2 min lexim

Tirana renditet në vendin e fundit në Europë për përballueshmërinë dhe cilësinë e jetesës, sipas një klasifikimi të përpiluar nga Alessandro Palombo, ekspert në fushën e teknologjisë financiare dhe këshillimit të nomadëve digjitalë. Kryeqyteti shqiptar rezulton me treguesit më të dobët në të dyja kategoritë e analizuara, duke nxjerrë në pah kontrastin mes kostove të larta dhe kushteve që u ofrohen qytetarëve.

Renditja mbështetet në dy tregues kryesorë: përballueshmërinë ekonomike dhe cilësinë e jetesës.

Për të matur përballueshmërinë, janë marrë në konsideratë qiratë, shpenzimet e jetesës dhe paga mesatare. Sipas klasifikimit, një qytetari në Tiranë i nevojitet 170% e pagës mesatare mujore për të mbuluar qiranë dhe shpenzimet bazë të jetesës. Kjo do të thotë se të ardhurat mesatare nuk mjaftojnë as për nevojat e përditshme.

Diferenca është e konsiderueshme edhe me qytetin e parafundit në renditje, Varnën e Bullgarisë, ku këto shpenzime përbëjnë rreth 145% të pagës mesatare.

Por problemi nuk kufizohet vetëm te çmimet. Tirana renditet e fundit edhe për cilësinë e jetesës, kategori që përfshin shërbimin shëndetësor, klimën, sigurinë dhe ndotjen. Në këtë tregues, kryeqyteti shqiptar pozicionohet pas Jekaterinburgut të Rusisë.

Rezultatet e renditjes ngrenë pikëpyetje mbi modelin e zhvillimit urban të Tiranës, ku ndërtimi i kullave shumëkatëshe dhe zgjerimi i sipërfaqeve të betonizuara kanë ndryshuar ndjeshëm peizazhin e qytetit.

Ndërsa kryeqyteti vijon të promovohet përmes projekteve të mëdha arkitekturore, treguesit e publikuar nxjerrin në pah një tjetër realitet: kosto të larta banimi, paga që nuk mbulojnë shpenzimet dhe probleme me cilësinë e mjedisit dhe shërbimeve.

Kontrasti mes investimeve në ndërtime dhe përballueshmërisë së jetesës ngre një pyetje thelbësore: sa po përfiton qytetari i zakonshëm nga transformimi i kryeqytetit?

Renditja e Palombos e vendos këtë debat në qendër të vëmendjes, duke treguar se zhvillimi urban nuk mund të matet vetëm me numrin dhe lartësinë e kullave, por edhe me mundësinë e qytetarëve për të përballuar një jetë dinjitoze.