Reforma territoriale e PS, nga 61 në 46 bashki: Pa llogari për kostot, qytetarët rrezikojnë të paguajnë faturën

Reforma e re territoriale, që parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, po ngre pikëpyetje mbi përfitimet reale për qytetarët dhe kostot që do të sjellë riorganizimi administrativ. Ndërsa debati politik përqendrohet te bashkitë që do të shkrihen dhe kufijtë e rinj territorialë, mungojnë përllogaritjet konkrete për kursimet, investimet dhe përmirësimin e shërbimeve publike.
Reforma rrezikon të udhëhiqet më shumë nga llogaritë elektorale sesa nga nevojat e komuniteteve. Ndryshimi i kufijve administrativë ndikon drejtpërdrejt në shpërndarjen e votave, përfaqësimin në këshillat bashkiakë dhe kontrollin politik mbi pushtetin vendor.
Përvoja e reformës së vitit 2014 ngre shqetësime të tjera. Atëherë, numri i njësive vendore u reduktua nga 373 në 61, me premtimin për administratë më efikase, ulje të shpenzimeve dhe shërbime më cilësore. Megjithatë, barra fiskale mbi qytetarët u rrit, ndërsa shërbimet u përkeqësuan, veçanërisht në zonat rurale.
Problemi kryesor është mungesa e një analize financiare që të justifikojë reformën e re. Dokumenti i miratuar nga Kuvendi nuk paraqet të dhëna konkrete mbi kursimet nga shkurtimi i administratës, rritjen e investimeve për banor, përmirësimin e të ardhurave vendore apo kostot e shërbimeve në zonat e largëta.
Për më tepër, shkrirja e bashkive nuk është thjesht ndryshim kufijsh në hartë. Çdo njësi vendore ka buxhetin, kontratat, detyrimet financiare, administratën dhe sistemet e veta të menaxhimit. Bashkimi i tyre kërkon fonde dhe kohë, ndërsa mungesa e përgatitjes mund të shkaktojë vonesa në marrjen e dokumenteve, dhënien e lejeve dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
Pasiguria prek edhe investimet publike. Projektet e miratuara, kontratat në zbatim dhe procedurat e prokurimit duhet të transferohen te strukturat e reja, proces që mund të vonojë punimet infrastrukturore. Stabilizimi administrativ mund të kërkojë dy deri në tre vjet, në varësi të organizimit dhe burimeve financiare.
Ndërkohë, më shumë se një dekadë pas reformës së parë, decentralizimi financiar dhe administrativ mbetet i papërfunduar. Bashkitë vijojnë të kenë përgjegjësi që nuk mbështeten me fonde të mjaftueshme, ndërsa objektivi për t’i afruar shërbimet te qytetarët nuk është realizuar plotësisht.
Në këto kushte, reforma e re rrezikon të shtojë një tjetër periudhë tranzicioni mbi problemet e pazgjidhura të reformës së vitit 2014.
Pyetja që mbetet pa përgjigje është se sa do t’u kushtojë qytetarëve ky riorganizim dhe çfarë do të përfitojnë konkretisht prej tij. Pa një bilanc financiar dhe administrativ të publikuar, shqetësimi është se ndryshimi i hartës mund të ndikojë në përfaqësimin politik, pa garantuar përmirësimin e jetës së përditshme, veçanërisht në zonat rurale që përballen me shpopullimin. / Monitor