Goditën me vezë makinën e Ramës, gjykata shpall të paligjshme arrestimet: A do të mbajnë përgjegjësi penale policët?

Gjykata Penale ka shpallur të paligjshme arrestimet e dy protestuesve që goditën me vezë makinën e kryeministrit Edi Rama, duke rikthyer në vëmendje një problem serioz: privimin e qytetarëve nga liria në kundërshtim me ligjin dhe përgjegjësinë penale që mund të mbajnë punonjësit e policisë.
Edison Lika dhe Fatjon Rrapaj janë lënë të lirë, ndërsa gjykata nuk ka pranuar kërkesën e prokurorisë për njohjen e ligjshmërisë së arrestimeve dhe vendosjen e masës “detyrim paraqitjeje”.
Por kush u jep të drejtën efektivëve të arrestojnë qytetarë pa përmbushur kushtet ligjore? Dhe kush mban përgjegjësi për kohën që ata kalojnë në qeli?
Ligji shqiptar nuk lejon arrestime arbitrare, as kur qytetarët protestojnë kundër kryeministrit dhe as kur policia pretendon se po garanton rendin publik. Arrestimi në flagrancë dhe ndalimi lejohen vetëm në rrethanat e parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale. Një urdhër nga eprorët nuk mund të zëvendësojë bazën ligjore për heqjen e lirisë.
Madje, Kodi Penal parashikon përgjegjësi penale për veprimet arbitrare të punonjësve shtetërorë që cenojnë lirinë e qytetarëve.
Neni 250 i Kodit Penal, për veprimet arbitrare, parashikon gjobë ose burgim deri në shtatë vjet. Neni 251, për mosmarrjen e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme, parashikon burgim deri në tre vjet, ndërsa neni 248, për shpërdorimin e detyrës, parashikon burgim deri në shtatë vjet.
Këto dispozita nuk zbatohen automatikisht vetëm sepse gjykata shpall një arrestim të paligjshëm. Por nëse provohet se efektivët apo drejtuesit e tyre kanë vepruar me vetëdije në kundërshtim me ligjin dhe plotësohen elementet e veprës penale, ata mund të përballen me hetim dhe ndjekje penale.
Edhe ligji nr. 82/2024 për Policinë e Shtetit përcakton përgjegjësinë individuale të punonjësve për ligjshmërinë e veprimeve të tyre. Bindja ndaj eprorit nuk është justifikim për zbatimin e një urdhri të paligjshëm.
Sa vendime gjykatash duhen që të kërkohet përgjegjësi për arrestimet e paligjshme?
Nëse policia mund t’i privojë qytetarët nga liria dhe më pas gjithçka përfundon vetëm me lirimin e tyre nga gjykata, pa u shqyrtuar përgjegjësia për veprimet e kryera, atëherë kontrolli gjyqësor nuk mjafton për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla.
Çështja nuk është nëse kryeministrit iu godit makina me vezë. Çështja është nëse institucionet që duhet të zbatojnë ligjin po e shkelin atë përballë qytetarëve që protestojnë.
Liria personale nuk është privilegj që policia mund ta japë apo ta heqë sipas dëshirës. Është e drejtë kushtetuese. Dhe kush e cenon në mënyrë të paligjshme, duhet të përballet me përgjegjësinë që parashikon ligji.