Skip to content
Kryesore

Artan Gaçi nën hetim për pastrim parash, SPAK zbulon transferta në disa shtete

· 2 min lexim

Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste, biznesmen dhe bashkëshort i ish-ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, është paraqitur këtë të enjte në Prokurorinë e Posaçme, ku është marrë në pyetje në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime.

Gaçi është paraqitur në SPAK i shoqëruar nga avokati i tij. Pas përfundimit të paraqitjes, avokati konfirmoi se ish-deputeti është pyetur si person nën hetim, por nuk dha detaje të tjera mbi çështjen.

Gaçi dyshohet për veprën penale të pastrimit të parave. Hetimi është i ri dhe lidhet me transferta të dyshuara parash të kryera në disa shtete.

Hetimet kanë nisur pas këqyrjes së telefonit të një shtetaseje, e cila ka qenë bashkëpunëtore e drejtësisë në një dosje tjetër. Gjatë kontrollit të pajisjes janë konstatuar komunikime që lidhen me transferta monetare, të cilat kanë çuar në hapjen e hetimit të ri.

Sipas raportimit, SPAK po verifikon rrethanat dhe lëvizjet e dyshuara të parave që dalin nga këto komunikime.

Në kuadër të hetimeve nuk përjashtohet mundësia që të përfshihet edhe bashkëshortja e Artan Gaçit, ish-ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.

Për momentin, nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi shumat e transfertave, shtetet ku dyshohet se janë kryer apo personat e tjerë që mund të jenë pjesë e hetimit.