Skandali i videove intime/ Adi Hila pranoi se shkatërroi hard-diskun, Prokuroria i shton një tjetër vepër penale dhe zgjeron hetimet

Hetimet për skandalin e videove intime marrin një tjetër drejtim. Prokuroria e Tiranës po heton tashmë edhe për veprën penale të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës, pasi hard-disku që duhej të këqyrej nga policia rezultoi i dëmtuar. Adi Hila ka deklaruar se pajisjen e kishte shkatërruar vetë.
Dosja i është caktuar me short prokurorit Julian Xhengo, i cili do të ndjekë hetimet në Prokurorinë e Tiranës.
Deri tani janë depozituar dy kallëzime në polici. Njëri është bërë nga vetë Hila, i cili pretendon se është hakeruar, ndërsa tjetri nga këngëtarja Eli Fara, e cila pretendon se i është cenuar privatësia.
Kallëzimet kanë hapur hetime për disa vepra penale. Pretendimet e Hilës lidhen me hyrjen e paautorizuar kompjuterike, ndërsa kallëzimi i Eli Farës me përgjimin e paligjshëm të të dhënave kompjuterike dhe keqpërdorimin e pajisjeve kompjuterike.
Çështjes i është shtuar edhe kallëzimi penal i aktores Monika Lubonja ndaj Adi Hilës, të cilin ajo e bëri publik një ditë më parë.
Një element i ri i hetimeve lidhet pikërisht me hard-diskun. Gjatë veprimeve paraprake, policia ka kërkuar të këqyrë pajisjen, por pas sekuestrimit ka konstatuar se ajo ishte e dëmtuar.
Hila ka deklaruar se ishte ai që e kishte shkatërruar hard-diskun. Si arsye, ai ka pretenduar se nuk e dinte nga kishte ardhur ndërhyrja dhe se druhej nga një tjetër ndërhyrje në distancë, përmes së cilës mund të merreshin të dhëna.
Pikërisht kjo rrethanë ka bërë që Prokuroria të përfshijë në hetim edhe veprën penale të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Hetimet për të gjithë çështjen tashmë do të vijojnë nën drejtimin e prokurorit Julian Xhengo.