Protesta kundër shkrirjes së bashkive/ Egla Ceno: “Bënë dëgjesa fiktive, zëri ynë nuk u dëgjua! Nëse e miratojnë në Parlament, do të ndjekim rrugë ligjore”

Aktorja Egla Ceno i është bashkuar protestës së zhvilluar para Kryesisë së Kuvendit kundër shkrirjes së bashkive, duke akuzuar maxhorancën se ka zhvilluar dëgjesa fiktive dhe nuk ka marrë parasysh zërin e banorëve të zonave të prekura nga reforma.
Në një deklaratë për mediat, Ceno tha se ndryshimet e propozuara janë antikushtetuese dhe paralajmëroi se, nëse drafti miratohet në Parlament, kundërshtimi do të vijojë edhe në rrugë ligjore.
“Kemi marrë bilbilat në dorë se zëri ynë nuk u dëgjua. Kjo reformë është antikushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë thotë se e tillë lëvizje bëhet duke marrë parasysh pëlqimin e banorëve që jetojnë në këto zona. Banorët nuk janë dëgjuar, është antikushtetuese. Nëse e kryejnë në parlament, do t’i shkojmë edhe në rrugë ligjore. I kemi votuar, u bëjmë thirrje deputetëve te qarqeve që kanë pasur frikë të vijnë mes nesh. Na kanë bërë dëgjesa fiktive duke përdorur njerëzit në dekor. Kanë dëgjuar çfarë kanë dashur. Na braktisën në mbledhje. Nuk na kanë dëgjuar. Gjëja më e keqe një kombi është shpopullimi. Poliçani i ka votuar socialistët për më shumë se 25 vjet”, theksoi ajo.
Protestuesit kundërshtojnë shkrirjen e bashkive dhe kërkojnë që vendimmarrja të marrë parasysh qëndrimin e banorëve të zonave që preken nga ndryshimet. Ceno theksoi se qytetarët nuk janë dëgjuar realisht gjatë procesit dhe akuzoi maxhorancën se konsultimet e zhvilluara deri tani kanë qenë vetëm formale.