91 vota pro: Kuvendi i Kosovës hap rrugën për ndryshimin e ligjit të Speciales

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, me mbështetje unanime të deputetëve që morën pjesë në votim.
Pas shqyrtimit dhe debatit në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, 91 deputetë votuan në favor të nismës, duke i hapur rrugë vijimit të procedurave parlamentare për ndryshimin e ligjit.
Projektligji kishte kaluar më herët edhe në Komisionin për Legjislacion, ku u miratua në parim me votat e të gjithë anëtarëve të pranishëm. Në Komision, ndryshimet morën 9 vota pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim.
Seanca e jashtëzakonshme e 5 tetorit kishte si pikë të parë të rendit të ditës pikërisht shqyrtimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ndërkohë, jashtë Kuvendit vijon protesta e veteranëve të UÇK-së dhe mbështetësve të nismës. Gjatë protestave janë regjistruar edhe tensione, ndërsa protestuesit kanë përdorur mjete piroteknike duke kërkuar ndryshimin e ligjit për Specialen.