Skip to content
Kryesore

Kulla te Parku Rinia/ Gazetari holandez “shkatërron” projektin e BIG: I kopjuar, dembel dhe pa frymëzim; pikëpyetje mbi konkursin dhe rolin e Ramës

· 3 min lexim

Projekti i studios daneze BIG për ndërtimin e një kulle në Parkun Rinia, në zemër të Tiranës, është vënë në shënjestër të kritikave të forta nga gazetari Vincent Yūsui van Gerven Oei, i cili ngre pikëpyetje si për mënyrën e zhvillimit të konkursit, ashtu edhe për origjinalitetin e projektit fitues.

Në një artikull të publikuar më 1 tetor në The Albanian Mechanism, Van Gerven Oei ndalet fillimisht te procedura e konkursit. Sipas tij, konkursi nuk ishte bërë publik përmes faqeve qeveritare të prokurimeve.

Gazetari sjell gjithashtu në vëmendje deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili kishte thënë se juria po vendoste “krejtësisht e lirë” dhe “pa asnjë orientim”. Megjithatë, Van Gerven Oei pretendon se vetë Rama kishte marrë pjesë në intervista dhe diskutime gjatë procesit.

Ai evidenton gjithashtu se BIG ishte e vetmja studio për të cilën Rama kishte shprehur publikisht një sugjerim dhe, në përfundim, pikërisht kjo studio u shpall fituese.

Në artikull citohet edhe arkitekti Bjarke Ingels, i cili tha se kuptonte “dëshirën dhe lidershipin” e Ramës për “gjëra të bukura”.

“Elementet janë marrë nga ‘Cloud’ i Fujimotos”

Por kritika kryesore e Van Gerven Oeit lidhet me vetë arkitekturën e kullës dhe ngjashmërinë që ai sheh me instalacionin “Cloud” të arkitektit japonez Sou Fujimoto.

“Cloud” u vendos në vitin 2016 përpara Galerisë Kombëtare të Arteve, përballë Parkut Rinia, fillimisht si një strukturë e përkohshme.

Sipas Van Gerven Oeit, dy prej elementeve karakteristike të instalacionit – rrjeti i bardhë tredimensional dhe disqet e sheshta të mbivendosura – shfaqen si bazë formale edhe në projektin e kullës së BIG.

“Duket se Ingels thjesht hodhi një vështrim përtej bulevardit nga Parku Rinia, pa re mbetjet e trishta të ‘Cloud’ të Sou Fujimotos, mori emrin dhe thjesht vendosi një version të zmadhuar të saj mbi shtylla”, shkruan gazetari.

Van Gerven Oei argumenton se ndërhyrja në një monument kulture dhe në një prej hapësirave të fundit të gjelbra në qendër të Tiranës do të duhej të kërkonte një qasje më të lidhur me kontekstin urban dhe me banorët e qytetit.

Kritika edhe për projektin e Teatrit Kombëtar

Gazetari rikthen në vëmendje edhe një tjetër projekt të BIG në kryeqytet, atë të Teatrit Kombëtar.

Van Gerven Oei pretendon se edhe në këtë rast Bjarke Ingels kishte marrë në mënyrë të konsiderueshme elemente nga një projekt i Forma Architects, i paraqitur më herët në konkursin për Shtëpinë e Operës në Busan.

Duke u rikthyer te kulla e Parkut Rinia, ai e cilëson punën e BIG si “dembele”, “të pa frymëzuar” dhe “derivative”, duke argumentuar se projekti nuk merr mjaftueshëm në konsideratë kontekstin e hapësirës ku synohet të ndërtohet.

Në përfundim, Van Gerven Oei e shtrin kritikën përtej një projekti të vetëm, duke trajtuar edhe marrëdhënien mes arkitektëve ndërkombëtarë, zhvillimeve të mëdha urbane dhe qeverisjes së Edi Ramës.

Shkrimi i tij u publikua në The Albanian Mechanism më 1 tetor, pas shpalljes së studios BIG si fituese e konkursit për projektin e kullës në Parkun Rinia.