Skip to content
Kryesore

Policia zgjeron hetimet për videot intime, Adrian Hila thirret në pyetje: “Jam i tronditur, më kanë hakeruar”

· 2 min lexim

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka zgjeruar hetimet për publikimin në rrjetet sociale të disa videove me përmbajtje intime, duke thirrur për të dhënë deklarime kompozitorin Adrian (Adi) Hila dhe personat e tjerë të identifikuar që shfaqen në pamje.

Policia ka nxjerrë këtë të enjte një ftesë për paraqitjen e Hilës. Efektivët kanë shkuar edhe në banesën e kompozitorit për ta kontaktuar dhe marrë në pyetje, por nuk e kanë gjetur aty.

Policia ka arritur ta kontaktojë Hilën në telefon. Kompozitori është shprehur se është shumë i shokuar dhe i tronditur nga publikimi i materialeve dhe ka deklaruar se është hakeruar. Ai ka bërë të ditur se do të paraqitet në polici sapo të mbërrijë në Tiranë.

Në kuadër të hetimeve janë thirrur për të dhënë deklarime edhe personat e tjerë që shfaqen në videot e publikuara dhe që tashmë janë identifikuar. Disa prej tyre mund të merren në pyetje në një moment të dytë për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike.

Hetimet janë thelluar edhe pas konstatimit të një momenti në një prej videove, ku Hila i drejtohet një personi që vëren pajisjen që po regjistron, duke i thënë se bëhet fjalë për një alarm dhe jo për një kamerë.

Një ditë më parë, strukturat e Krimit Kibernetik nisën verifikimet për përmbajtjen, mënyrën e publikimit dhe burimin e materialeve intime që kanë qarkulluar në rrjetet sociale.