Rama që e bëri burgun politikë shtetërore, tani e kufizon edhe për korrupsionin: SPAK humbet “arrestin në burg” për disa vepra nën 5 vjet

Edi Rama po kërkon të ndryshojë një nga instrumentet që drejtësia ka përdorur edhe në hetimet për korrupsion. Pas më shumë se një dekade ku “burgu” u përdor nga qeveria e tij si përgjigje ndaj vjedhjes së energjisë, ndërtimeve pa leje, informalitetit apo shkeljeve gjatë pandemisë, sot kryeministri shpall një parim të ri: për veprat me dënim maksimal nën pesë vjet nuk duhet të ketë më “arrest në burg”.
Formulimi i tij ishte i prerë:
“Për veprat me dënim maksimal nën pesë vjet nuk do të caktohet më arrest në burg.”
Dhe kjo nuk është një fjali pa pasoja. Në Kodin Penal shqiptar ka vepra të mirëfillta korrupsioni që kanë pikërisht dënime maksimale nën pesë vjet. Nëse ndryshimi miratohet sipas formulimit që prezantoi Rama, prokuroria nuk do të mund të kërkojë më burgun si masë sigurie për to, kur procedimi mbështetet te këto vepra. Kjo prek edhe nene që janë pjesë e punës së SPAK-ut.
Neni 244 i Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikon deri në një vit burg kur përfitimi i parregullt është deri në 50 mijë lekë dhe nga një deri në tre vjet kur shuma është mbi 50 mijë lekë. Pra, ryshfeti ndaj një funksionari publik mund të ketë maksimum tre vjet burg.
Neni 245/1, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, është edhe më domethënës. Format e tij dënohen, sipas rastit, deri në një, dy, tre ose katër vjet burg. Të gjitha janë nën kufirin pesëvjeçar që shpalli Rama.
Neni 257, “Përfitimi i paligjshëm i interesave”, që ndëshkon një funksionar publik kur mban apo merr interes në një ndërmarrje ose operacion që ka detyrë ta mbikëqyrë apo administrojë, dënohet deri në katër vjet burg. Edhe ky hyn nën prag. Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurisë sipas nenit 257/a dënohet deri në tre vjet.
Edhe korrupsioni pasiv i një personi që ushtron funksion publik, kur përfitimi është deri në 50 mijë lekë, dënohet sipas nenit 259 me dy deri në tre vjet burg. Përfitimet mbi këtë shumë dënohen më rëndë, deri në tetë vjet, dhe nuk kapen nga kufiri i shpallur nga Rama.
Këtu qëndron ndryshimi konkret: Rama nuk po ndryshon vetëm një filozofi abstrakte të paraburgimit. Ai po propozon një kufi që përfshin emra të qartë veprash penale: korrupsion aktiv, ndikim të paligjshëm, përfitim të paligjshëm interesash, fshehje pasurie dhe forma të korrupsionit pasiv.
Dhe SPAK nuk i ka këto nene vetëm të shkruara në Kod. I ka përdorur.
Por propozimi shkon edhe më tej. Rama deklaroi se, për veprat me dënim maksimal deri në tre vjet, si rregull nuk do të caktohen masa shtrënguese.
Kjo pikë është edhe më e rëndë sesa kufiri pesëvjeçar. Masat shtrënguese në Kodin e Procedurës Penale nuk janë vetëm burgu. Aty përfshihen masa si detyrimi për paraqitje, ndalimi i daljes jashtë shtetit, garancia pasurore, arresti në shtëpi dhe arresti në burg.
Nëse ky formulim shkruhet kështu edhe në tekstin përfundimtar, atëherë për një kategori veprash që kanë maksimum tre vjet nuk do të flitej vetëm për heqjen e burgut si masë sigurie, por për kufizimin e një game shumë më të gjerë mjetesh që prokuroria dhe gjykata kanë sot në dispozicion.
Dhe një prej veprave me maksimum tre vjet është pikërisht korrupsioni aktiv i funksionarëve publikë sipas nenit 244.
Ky është problemi që humbet kur ndryshimi paraqitet thjesht si “humanizim” i drejtësisë. Në praktikë, një pjesë e veprave të korrupsionit futen drejtpërdrejt brenda kufijve të rinj që Rama kërkon të vendosë.
Kontrasti bëhet edhe më i fortë kur shihet historia politike e kryeministrit që po e propozon.
Në janar 2014, Këshilli i Europës i kërkonte Shqipërisë që paraburgimi të përdorej vetëm si zgjidhje e fundit. Komisioneri për të Drejtat e Njeriut shprehte shqetësim për mbështetjen e tepruar te paraburgimi dhe kërkonte që gjyqtarët dhe prokurorët të përdornin alternativa.
Vetëm pak muaj pas ardhjes së qeverisë Rama, situata u rëndua. CPT-ja konstatoi se nga tetori 2013 deri në shkurt 2014 numri i të paraburgosurve ishte dyfishuar, duke arritur rreth 2,300 persona, afro 40% të popullsisë së burgjeve. Dhe raporti shënon se, sipas vetë autoriteteve shqiptare, rritja lidhej me politikën e re të qeverisë të “zero tolerance” ndaj krimit, e cila kishte sjellë shumë më tepër raste paraburgimi.
Pra, problemi që Rama kërkon të zgjidhë sot nuk ishte i panjohur. Ishte dokumentuar që në fillim të pushtetit të tij.
Megjithatë, përgjigjja politike gjatë viteve që pasuan ishte forcimi i penalizimit.
Për energjinë u ashpërsuan dënimet dhe u ndërmor një operacion masiv arrestimesh. Për ndërtimet pa leje u zgjerua përgjegjësia penale. Për informalitetin u përdor kërcënimi penal. Gjatë COVID-it Rama doli personalisht në Kuvend për të mbrojtur futjen e dënimeve penale për shkeljet gjatë epidemisë.
Në prill 2020 ai thoshte:
“Pikërisht për interesin e popullit, individi që shkel ligjin ndëshkohet.”
Dhe, duke argumentuar në favor të burgut gjatë pandemisë, sillte si shembull vende të tjera europiane me dënime disa-vjeçare.
Pak ditë më parë ai kishte paralajmëruar publikisht se shkelja e masave mund ta çonte një person “deri prapa hekurave” dhe se qeveria do t’i drejtohej Parlamentit për një kornizë të re “penale dhe shtrënguese”.
Ky është Edi Rama që sot deklaron se procedimi penal duhet të nisë “nga zona e lirisë”.
Kthesa e Ramës ndaj paraburgimit u bë e dukshme vetëm pasi drejtësia goditi brenda pushtetit të tij. Më 12 shkurt 2025, dy ditë pas arrestimit të Erion Veliajt, Rama foli për “burgosje pa gjyq”, tha se procesi mund të vijonte në gjendje të lirë dhe shpalli se PS kishte kaluar “nga pesë vjet heshtje në një fazë të re”.
Pra, paralajmërimet europiane për paraburgimin ishin aty që në 2014, por Rama e ktheu këtë në kauzë politike vetëm pasi masa e burgut preku njerëzit e pushtetit të tij. Sot, kjo kthesë po përkthehet në ligj.
Ndërkohë ka edhe një pjesë tjetër të paketës që tërheq vëmendjen për shkak të deklaratave të mëparshme të vetë kryeministrit: telefonat.
Rama propozon që telefoni të mund të sekuestrohet, por për hapjen e tij të kërkohet vendim gjykate, ku të përcaktohen aplikacionet dhe kategoritë e të dhënave që mund të kontrollohen. Çdo material i marrë përtej autorizimit, sipas tij, duhet të jetë i pavlefshëm.
Në maj 2025, Rama kishte folur publikisht pikërisht për telefonin e tij. Kur u pyet për deklaratën “të mos bëjnë gabim të kërkojnë telefonin tim”, ai e quajti batutë, por shtoi:
“Telefonin tim për ta marrë, duhet shkuar në parlament.”
Sot, ndërsa hetimet për korrupsion kanë arritur në nivelet më të larta të pushtetit, Rama kërkon të shkruajë rregulla të reja edhe për mënyrën se si kontrollohen telefonat, edhe për mënyrën se si vendoset paraburgimi.
Kjo nuk provon vetvetiu se ligji është shkruar për interes personal të kryeministrit. Por koha, historia e tij politike dhe efekti konkret i dispozitave e bëjnë legjitime pyetjen nëse pas “reformimit” të procedurës penale po ndërtohen njëkohësisht edhe mburoja të reja për një sistem politik të goditur gjithnjë e më fort nga hetimet për korrupsion.
Sepse ironia është e vështirë të fshihet.
Kur në burg përfundonin qytetarë për energjinë, Rama fliste për zbatimin e ligjit. Kur qeveria shtonte veprat penale, burgun e paraqiste si instrument të shtetit. Kur Këshilli i Europës paralajmëronte se paraburgimi po përdorej tepër, problemi ishte tashmë i njohur.
Sot, kur SPAK ka përdorur “arrestin në burg” edhe për vepra korrupsioni dhe ndikimi të paligjshëm, kryeministri propozon t’ia heqë këtë mundësi për çdo vepër me maksimum nën pesë vjet.
Pas 12 vitesh pushtet, Rama nuk po ndryshon vetëm retorikën për burgun. Po ndryshon Kodin në një mënyrë që i heq drejtësisë mjete që ajo i ka përdorur kundër korrupsionit. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse çdo ndryshim i tillë duhet lexuar jo vetëm nga ajo që kryeministri thotë se synon, por nga ajo që ligji do të prodhojë në praktikë.