SPAK i mbyll derën Veliajt, nuk e lejon në mbledhjen e Këshillit Bashkiak

SPAK ka refuzuar kërkesën që kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, të marrë pjesë në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, të planifikuar për në orën 15:00.
Këshilli Bashkiak i Tiranës kishte kërkuar që Veliaj të lejohej të ishte fizikisht i pranishëm në mbledhjen e 29 shtatorit ose, nëse kjo nuk do të ishte e mundur, t’i mundësohej pjesëmarrja përmes videokonferencës. Kërkesa iu dërgua SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Prokuroria e Posaçme ka kthyer përgjigje negative, duke u mbështetur në dispozitat e ligjit nr. 81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
Në kërkesën e tij, Këshilli Bashkiak argumentonte se prania e kryetarit ishte e rëndësishme për shqyrtimin e çështjeve që lidhen me administrimin e Bashkisë së Tiranës.
Në rendin e ditës së mbledhjes së sotme është përfshirë edhe diskutimi mbi projektligjin për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore.
Në shkresën drejtuar SPAK-ut dhe Burgjeve, Këshilli iu referua gjithashtu vendimit nr. 66, datë 3 nëntor 2025, të Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se pjesëmarrja e kryetarit në mbledhjet e Këshillit lidhet me ushtrimin e funksioneve të tij institucionale.
Me refuzimin e SPAK-ut, Veliaj nuk do të mund të marrë pjesë në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak sipas modaliteteve të kërkuara.