Vrau me thikë pas një konflikti, kapet në Itali 28-vjeçari shqiptar; i dënuar me 12 vite burg, pritet ekstradimi

Një 28-vjeçar shqiptar, i dënuar me 12 vite burg për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim, është arrestuar në Bolzano të Italisë. Vanxhel Balla ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe tashmë pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë.
Arrestimi u krye në kuadër të një tjetër faze të operacionit policor të koduar “The Wanted”, falë bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane.
Sipas Policisë së Shtetit, Vanxhel Balla, 28 vjeç, lindur në Dibër, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër e ka dënuar në vitin 2020 me 12 vite burg për veprën penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim. Nga dënimi, atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 9 vite burg.
Policia bën të ditur se Balla, së bashku me vëllain e tij, A. B., pas një konflikti për motive të dobëta, kanë vrarë me thikë shtetasin A. Z., alias I. Z.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma po vijojnë procedurat për ekstradimin e 28-vjeçarit drejt Shqipërisë.
Njoftimi i Policisë:
“Vijon bashkëpunimi me homologët për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “The Wanted”.
Kapet në Bolzano të Italisë një i kërkuar, i dënuar për vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim.
Arrestohet me qëllim ekstradimi shtetasi Vanxhel Balla, 28 vjeç, lindur në Dibër.
Shtetasi Vanxhel Balla ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, në vitin 2020, e ka dënuar me 12 vjet burg (mbetur për të kryer 9 vjet burg), për veprën penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim.
Ky shtetas, së bashku me vëllain e tij, shtetasin A. B., pas një konflikti për motive të dobëta, kanë vrarë me mjet prerës (thikë) shtetasin A. Z alias I. Z.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Shqipërisë.”