Po ju vjedhin WhatsApp-in! AKSK ngre alarmin: Mos e jepni këtë kod, mund të humbni llogarinë

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) paralajmëron përdoruesit e WhatsApp të bëjnë kujdes, pas rasteve të raportuara në rajon ku qytetarëve u janë komprometuar llogaritë dhe disa prej tyre kanë humbur plotësisht aksesin.
Rreziku lidhet veçanërisht me kodet e verifikimit, kërkesat për regjistrimin e WhatsApp-it në pajisje të tjera dhe linket e dyshimta që mbërrijnë përmes mesazheve, SMS-ve apo email-it.
AKSK këshillon përdoruesit të aktivizojnë verifikimin me dy hapa te Settings → Account, të mos i japin askujt kodet e verifikimit apo fjalëkalimet dhe të kontrollojnë “Linked Devices”, duke shkëputur çdo pajisje të panjohur.
“Nëse merrni një kod ose njoftim për regjistrimin e WhatsApp-it në një pajisje tjetër pa e kërkuar vetë, mos e ndani kodin dhe mos autorizoni kërkesën”, paralajmëron AKSK.
Autoriteti kërkon gjithashtu të mos hapen linke të dyshimta, edhe kur mesazhi duket sikur vjen nga një person i njohur.
“Një kod verifikimi është personal. Edhe kur kërkesa duket sikur vjen nga një person që njihni, verifikojeni përpara se të veproni”, thekson AKSK.