Skip to content
Kryesore

Punësohej në biznese dhe u merrte xhiron para se të zhdukej, arrestohet Kumrie Zika: Policia zbardh 5 vjedhje, hetohen të tjera

· 2 min lexim

Kumrie Zika, 39-vjeçarja e njohur edhe si “Kumi”, është arrestuar në Tiranë, pasi Policia thotë se ka dokumentuar pesë raste vjedhjesh në biznese të ndryshme. Ajo ishte shpallur në kërkim dhe u kap nga Forca e Posaçme “Shqiponja” në ambientet e një lokali në kryeqytet.

Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Skema”, të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 1 dhe Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.

Sipas hetimeve, Zika dyshohet se kishte ngritur një mënyrë të përsëritur veprimi, duke shfrytëzuar pikërisht punësimin për të siguruar akses në bizneset që më pas dyshohet se vidhte.

39-vjeçarja paraqitej dhe punësohej përkohësisht në subjekte të ndryshme në Tiranë. Pasi hynte në punë dhe kishte akses te paratë e biznesit, dyshohet se merrte xhiron ditore dhe largohej.

“Punësohej në subjekte të ndryshme me qëllim që të vidhte xhirot ditore, vihet në pranga 39-vjeçarja.

Dokumentohen 5 raste vjedhjesh në subjekte të ndryshme.

39-vjeçarja u kap në ambientet e një lokali në Tiranë, nga Forca e Posaçme ‘Shqiponja’”, njoftoi Policia.

Hetimet e deritanishme kanë çuar në dokumentimin e pesë rasteve të vjedhjeve të ndodhura në territoret e Komisariateve Nr. 1 dhe Nr. 2.

Por bilanci mund të mos përfundojë me kaq. Policia njofton se hetimet po vazhdojnë për të zbardhur vjedhje të tjera që 39-vjeçarja mund të ketë kryer me të njëjtën mënyrë veprimi.

“Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer kjo shtetase”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.