“Revolta e zhveshur”/ Leonard Bombaj sfidon administratën me performancë simbolike, ironizon Ramën me atletet e bardha: Dezinformimi shërohet vetëm me të vërteta brutale

Regjisori dhe artisti Leonard Bombaj ka zgjedhur një mënyrë të pazakontë për të protestuar ndaj raportit mes qytetarit dhe administratës: është zhveshur simbolikisht në përfundim të forumit “Ringu i Transparencës”, duke e paraqitur qytetarin si të pambrojtur përballë institucioneve.
Forumi u organizua pas letrës së hapur që Bombaj i drejtoi Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Kulturës dhe kishte në fokus atë që artisti e quan “Asimetria qytetar-administratë”, të paraqitur përmes një kronologjie 10-vjeçare. Bombaj synon përmes nismës të nxisë debatin publik, të thyejë frikën e individit për t’u shprehur dhe të kërkojë më shumë transparencë.
Pika kulmore ishte performanca e tij në fund të aktivitetit. Bombaj u zhvesh, ndërsa mënyra e performancës dhe atletet e bardha përmbanin edhe një referencë simbolike ndaj stilit të kryeministrit Edi Rama. Trupi i zhveshur u përdor si metaforë e intelektualit dhe qytetarit të mbetur pa mburojë përballë administratës.
Në qendër të mesazhit ishte edhe dezinformimi, të cilit Bombaj i kundërvë transparencën dhe atë që e quan nevojën për “të vërteta brutale”. Performanca solli gjithashtu idenë e përballjes së individit me “pushtetin e algoritmeve”.
Gjesti shkaktoi reagim të fortë emocional te të pranishmit, deri në përlotje.