Skip to content
Kryesore

“O Hashim, ti ku je? UÇK-në këtu e ke”/ Kthehen nga Haga, 50 veteranët e UÇK-së mbërrijnë në Durrës

· 2 min lexim

Rreth 50 veteranë të UÇK-së, të cilët udhëtuan drejt Hagës për të mbështetur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë mbërritur këtë të premte në Portin e Durrësit, pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Speciale.

Me flamujt e UÇK-së në duar dhe pankarta me mbishkrimin “Liria ka emër”, veteranët shprehën zhgënjimin e tyre për vendimin që dënoi me gjithsej 81 vite burg Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Ata e konsiderojnë vendimin të padrejtë dhe deklaruan se mbështetja e tyre për ish-krerët e UÇK-së do të vazhdojë, ndërsa shpresojnë që çështja të marrë një tjetër drejtim në Apel.

“O Hashim ti ku je, UÇK-në këtu e ke”, brohoritën veteranët njëzëri pas mbërritjes në Durrës.

Në një prononcim për mediat, Ismail Selmani u bëri thirrje qytetarëve që, pavarësisht zhgënjimit për vendimin e Hagës, të tregohen të përmbajtur. Ai iu referua gjithashtu mesazhit të ish-presidentit Hashim Thaçi, duke kërkuar që pakënaqësia të mos shndërrohet në protesta që dëmtojnë vendin.

“Hashim Thaçi është një atdhetar prandaj edhe e la detyrën si president, mesazhi i tij ka qenë shumë i qartë. Të ndalohen protestat si në Kosovë edhe në Shqipëri, jo të prishim vendin ku jetojmë. Jepni frymë pozitive, edhe pse jemi të zhgënjyer”, tha Ismail Selmani.

Veteranët kishin udhëtuar drejt Hagës për të qenë pranë ish-drejtuesve të UÇK-së në momentin e shpalljes së vendimit. Tashmë, pas kthimit në Shqipëri, ata përsëritën se do të vijojnë mbështetjen dhe se shpresat i kanë te procesi i Apelit.